E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola mbron Barcen

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka dalë në mbrojtje të skuadrës së tij, duke thënë se katalanët nuk kanë prekur fundin, pas barazimit 0-0 me Vijarealin, që e ka rritur në 7 pikë diferencën me kryesuesit e Realit të Madridit. Tifozët shpresojnë që “blaugranat” do të fitojnë titullin e katërt radhazi në La Liga, ndërsa drejtuesi i stolit ka dalë në mbrojtje të paraqitjeve të fundit të skuadrës.
“Në sport nuk e arrin asnjëherë pikën e fundi, pasi gjithmonë mund të shkosh edhe më poshtë... nuk ka kufij. Kjo funksionon në të njëjtën mënyrë si atëherë kur je në majë, gjithmonë mund të vazhdosh të përmirësohesh. Sinqerisht nuk mendoj se skuadra ka arritur pikën e fundit. Pavarësisht rezultatit, paraqitja në ndeshjen me Vijarealin nuk më ka bërë të ndihem sikur nuk kemi më çfarë të japim”, u shpreh ai.
Barcelona luan sot në fushën e Valencias në Kupën e Mbretit, me skuadrën që është në emergjencë dëmtimesh. Kampionët e Spanjës dhe Europës paraqiten në “Mestaja” pa David Vijën dhe Andres Iniestën, ndërsa Pedro dhe Aleksis Sançez janë në dyshim. Guardiola deklaroi se kjo ndeshje është një test i rëndësishëm.
“Sfida kundër Valencias është një test i madh për Barcelonën. Ata kanë qenë një skuadër e shkëlqyer kur kishin Vijan, Matan e Silvan, e mund të them se kanë të njëjtin kualitet edhe tani. Kanë të njëjtën filozofi loje, dhe praktikojnë futbollin e shpejt dhe agresiv. Është një skuadër e mirë që më ka bërë përshtypje”, nënvizoi Guardiola.
Pavarësisht kritikave nga mediat, trajneri i Barcelonës i ka inkurajuar lojtarët që të vazhdojnë të luftojnë për titullin kampion, ndërsa ka folur edhe për gjyqtarët dhe rinovimin e kontratës, për të cilin tha se më parë duhet të tregojë që e meriton.
Gjithashtu, Guardiola deklaroi se “lojtarët nuk mund të heqin dorë nga lufta. Sado e vështirë që mund të ketë qenë, kjo është e paevitueshme. Nuk më pëlqen të flasë për gjyqtarët dhe të gjithë e dinë që nuk e kam bërë kurrë. Vazhdoj të mendoj se nuk duhet të aknohemi për gjykimin, pasi kjo është një betejë e humbur. Arbitrat kanë një detyrë të vështirë dhe ne duhet ti ndihmojmë. Përsa i takon kontratës, jam unë ai që vendos dhe më pas do të njoftoj presidentin. Duhet të testoj veten çdo ditë që kalon dhe të fitoj të drejtën për të rinovuar kontratën”.
Ndeshja e Barcelonës kundër Valencias, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit luhet sot në orën 21.00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›