E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gudjabi, Polonia “troket” te Dinamo

12/04/2005  Pas një paraqitjeje të mrekullueshme në Superligën shqiptare, sulmuesi i Dinamos, El Haxhi Gudjabi po hedh sytë nga Evropa. Sulmuesi i bluve ka filluar që tani të mendojë për të ardhmen e tij futbollistike dhe mesa duket, kampionati modest shqiptar nuk i përmbush aspiratat e gjigandit senegalez. I pyetur nga “Metropol Sport”, për të ardhmen e tij, Gudjabi është shprehur se ka disa oferta nga kampionati polak, të cilat po i studion së bashku me menaxherin e tij. “Kam disa oferta nga kampionati polak, deklaroi sulmuesi senegalez. Menaxheri im ndodhet në Poloni për të parë gjërat nga afër dhe pastaj do të bisedojmë më konkretisht”. Por, Gudjabi është shprehur se këto tratativa kanë për të filluar, vetëm pasi kampionati shqiptar të presë finishin. Kjo, sepse ai respekton kontratën aktuale që ka me klubin blu dhe vetëm pas përfundimit të saj do të merret me problemet e një kontrate të re. “Unë jam lojtar i Dinamos deri në fund të kampionatit, pra edhe muajin tjetër, ka sqaruar senegalezi. Unë kur erdha në Shqipëri kam nënshkruar një kontratë gjashtëmujore me Dinamon dhe do ta respektoja atë deri në fund. Por, pas përfundimit të saj, unë jam një lojtar i lirë. Në qershor, unë jam i lirë që të shkoj në një skuadër të dëshirës sime, pasi nuk i përkas as Dinamos dhe as ish-klubit tim në Senegal”. Pyetjes se a mund të firmosë përsëri një kontratë të re me blutë, golashënuesi senegalez iu shmang me diplomaci. “Jam shumë i kënaqur te Dinamo, tha Gudjabi. Këtu të gjithë më janë sjellë mirë, duke filluar që nga presidenti i klubit e deri te tifozët e skuadrës. Por, unë jam një futbollist profesionist dhe në radhë të parë, duhet që të mendoj për të ardhmen time”. Me sa duket, sulmuesi senegalez ka pak gjasa që të qëndrojë në Shqipëri sezonin tjetër, pasi i pyetur se mos kishte oferta nga skuadrat e mëdha shqiptare, ai u përgjigj jo vetëm në mënyrë negative, por edhe me indiferentizëm. “Nuk kam folur me asnjërën nga skuadrat shqiptare, pasi nuk më intereson. Synimi im është që të luaj në një kampionat me nivel të lartë dhe me më shumë emër se kampionati shqiptar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›