E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluturon vetura, i merr jetën kalimtarit 78-vjeçar

Sarandë

Një 78-vjeçar nga Saranda është përplasur për vdekje nga një makinë ndërsa ishte duke ecur në trotuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen vonë të së hënës në afërsi të hotelit “Nertili”, në aksin rrugor Turizëm-Kanali i çukës. Autovetura tip “Mercedes Benz”, që udhëtonte nga Saranda në drejtim të Ksamilit është parë të marrë fluturim në kthesën ku ngrihet kompleksi turistik i kompanisë “Agikons”. Vetura me targë SR1822B ka vënë përpara në fluturimin e vet të moshuarin Koço Nika, 78 vjeç, banor i Sarandës. Autor i aksidentit të rëndë është identifikuar 60-vjeçari Zenun Mero, banor i Ksamilit, i cili ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka sjellë daljen e autoveturës së tij nga rruga dhe përfundimin e saj afër detit, pasi ka përshkuar lartësinë 30 metra. Mësohet se i moshuari Koço Nika jo vetëm është goditur, por edhe është tërhequr zvarrë nga autovetura, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë, të cilave nuk ka mundur t’u rezistojë dhe ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spitalin “Petro Nako” të qytetit. Si pasojë e rënies nga një lartësi e madhe dhe me shpejtësi që nuk ndalej, ka mbetur i plagosur rëndë edhe drejtuesi i mjetit Zenun Mero, për të cilin mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më lehtë është dëmtuar pasagjeri, i cili pas ndihmës së parë të marrë në spital, është larguar. Burime nga policia e Sarandës thanë se sipas ekspertëve që shkuan në vendngjarje shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia përtej normave të lejuara.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›