Vajza u vetëvra pas dhunës së ushtruar nga i dashuri
Vdekja e gruas, e cila u hodh nga një pallat dy ditë më parë, nuk ka qenë vetëvrasje. Ajo është hedhur pasi është dhunuar nga një person, me të cilin po kryente marrëdhënie seksuale. Këto janë hetimet e policisë kryeqytetase, e cila dje arrestoi të dyshuarin për këtë vrasje, Fatmir Priskun, i cili banonte në katin e katërt të pallatit, ku ndodhi ngjarja. Menjëherë, pasi ai ka kryer marrëdhënie seksuale me 44-vjeçaren Fraleta Tartari, e cila është identifikuar në orët e para të mëngjesit, e ka keqtrajtuar, duke e goditur me grushte e shqelma dhe ajo është hedhur nga kati i katërt, ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Sipas të dhënave policore, ngjarja u shënua dy ditë më parë në afërsi të “21 Dhjetorit”, kur policia u njoftua se një grua kishte rënë nga pallati dhe dergjej në rrugë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e Komisariatit Nr. 2, të cilët konstatuan se ajo ishte e zhveshur dhe ndodhej pranë një pallati dhjetëkatësh. Pasi mbuluan trupin e pajetë, oficerët e policisë filluan të marrin në pyetje të gjithë banorët e pallatit nëse e njihnin viktimën. Megjithatë, asnjë nuk e njihte dhe identifikimi i saj ishte tejet i vështirë.
Madje, dyshimet e para të policisë bënin fjalë për një nënë me dy fëmijë, e cila banonte me qira në katin e pestë të pallatit. Sipas të dhënave policore, deri në orët e vona të natës këto ishin dyshimet kryesore, megjithëse viktima nuk ngjasonte me të, sipas dëshmive të banorëve të pallatit. Më vonë, policia vërtetoi se ajo nuk ishte viktima, si dhe u vendosën kontakte me personin që mendohej se ishte viktima. Në këto kushte, policia iu rikthye dyshimeve të saj për një vrasje të mundshme, duke marrë shkas edhe nga fakti se viktima ishte e zhveshur.
Kështu, policia vijoi me marrjen në pyetje të banorëve të pallatit dhe dyshimet u konkretizuan te një familje në katin e katërt. Aty banon Fatmir Prisku, 33 vjeç, nga Burreli, bashkë me nënën e tij. Sipas të dhënave policore, ai është divorcuar dy herë dhe tashmë jeton me nënën e tij në katin e katërt të pallatit. Duke mbledhur dëshmi të ndryshme, policia konkretizoi dyshimet e saj se autori kishte lidhje me viktimën. Në këto kushte, u arrit që të bëhet edhe identifikimi i viktimës, që rezulton të jetë Fraleta Tartari, 44 vjeçe, nga Laçi.
Ajo ishte e dyshuar nga ana e policisë se punonte si prostitutë dhe shoqërohej me persona të ndryshëm. Madje, policia deklaroi se që në fillim dukej e njohur, por nuk po vërtetohej identiteti i saj. Në orën 03.00 të mëngjesit, ditën e djeshme, policia ka shpallur në kërkim Fatmir Priskun. Sipas të dhënave, fillimisht u mor në pyetje edhe nëna e tij e moshuar, e cila deklaroi se në atë orë që mendonte policia, ajo nuk kishte qenë në shtëpi. Gjithashtu, ajo ka dhënë edhe fakte të tjera për policinë, të cilat do të përdoren për dokumentimin e plotë të veprës penale. Grupi hetimor shpjegoi se në banesën e të dyshuarit ka marrë shumë gjurmë të ndryshme dhe priten analizat për të vërtetuar shkencërisht praninë e vajzës në dhomën e gjumit të personit të arrestuar. Fillimisht Prisku nuk ka pranuar të flasë për policinë, por në fund është vërtetuar se të dy kishin pak ditë që ishin njohur përpara ngjarjes. 33-vjeçari, pas qëndrimit të gruas në banesën e tij, dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike, duke shkaktuar vetëvrasjen e saj. Pas kryerjes së aktit seksual, mendohet se ata janë zënë mes tyre për motive që ende nuk dihen, ku ai ka kërkuar të ushtrojë presion mbi 44-vjeçaren. Uniformat blu kanë kontrolluar banesën edhe për rrobat e vajzës, por ato ishin zhdukur dhe nuk janë gjetur. Kontrolle janë ushtruar edhe në vende të tjera përreth pallatit.
#