Ponosh: “Shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt Serbisë”
Qytetarët shqiptarë së shpejti mund të udhëtojnë pa viza drejt Serbisë, ashtu si shtetasit serbë drejt Shqipërisë. Ky është premtimi i zëvendësministrit të Jashtëm serb, Zdravko Ponosh, gjatë takimit me pakicat serbe në Shkodër, i organizuar nga shoqata “Moraca Rozafa”. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me problematikën e pakicës serbe në Shqipëri, si dhe statusi i tyre. "Ju i keni hequr vizat për serbët, edhe ne do t’i heqim ato për shqiptarët. Është rënë në parim dakord me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Serbi, për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Pritet nënshkrimi i marrëveshjes mes dy vendeve në ditët e ardhshme, sipas axhendës që do përcaktohet nga ministritë përkatëse", - tha Ponosh. Në këtë takim me zëvendësministrin e Jashtëm serb ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i pakicave serbe në Libofshë të Fierit.
24 Qershor 2010