E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, pret një grup biznesmenësh austriakë



Kryeministri Sali Berisha priti dje një grup biznesmenësh austriakë, të përbërë nga Aleksandër Krasner dhe Mikael Mogilevsky, përfaqësues të kompanisë “Industrial Minerals”, e cila e ka shtrirë aktivitetin e saj në shumë vende si Turqi dhe në rajon, si dhe drejtorin Ekzekutiv të kompanisë “TSC” (Trade Sevice Consulting), Stefan Lehmden.
Zyra e shtypit të Kryeministrisë bën me dije se përfaqësuesit e kompanive u shprehën se janë rezultatet e publikuara së fundi mbi ekonominë shqiptare dhe performanca e saj që kanë bërë grupin e tyre të marrë vendim të përfshijë edhe Shqipërinë në hartën e investimeve të tyre. Ata vlerësuan potencialin e rezervave minerare në Shqipëri, si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në këtë sektor. Interesi i tyre konsiston në projekte të mëdha shfrytëzimi të mineraleve si krom, bakër, hekur nikel etj. Kryeministri Berisha i falënderoi për projekt-idetë e propozuara dhe, pasi u bëri shkurtimisht paraqitjen e reformave të ndërmarra nga qeveria e tij dhe atyre në vijim në industrinë nxjerrëse, theksoi faktin se së shpejti Shqipëria do të anëtarësohet në nismën e transparencës së industrive nxjerrëse. Kryeministri i garantoi ata se do të kishin mbështetjen e plotë të qeverisë dhe strukturave të saj për t’i çuar drejt suksesit projektet e tyre në këtë sektor strategjik, shumë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Kryeministri Berisha përmendi edhe traditën shumë të mirë të bizneseve austriake, tashmë në projekte të mëdha në Shqipëri.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›