PDR kërkon reagim për vetëvrasjet
23/02/2005 Antoneta Luli, kryetare e Forumit të Gruas të PDR-së, duke komentuar ngjarjet e fundit, që kanë tronditur opinionin publik, u shpreh: "Si prindër, ndjehemi shumë të tronditur për vetëvarjet apo vetëvrasjet e adoleshentëve në harkun kohor të dy javëve të fundit. Fenomene të tilla kanë nevojë për një vëmendje dhe trajtim serioz në kohën e duhur dhe nga ana e të gjithëve. Institucionet kryesore, familja dhe shkolla, duhet të jenë shumë afër problemeve dhe psikologjisë së fëmijëve dhe t'u kushtojnë atyre në çdo moment vëmendjen e duhur, mbasi e pamë të gjithë se pasojat janë tepër të dhimbshme dhe të pariparueshme". Sipas saj, përgjegjësia prindërore përfshin tërësinë e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake me të, duke i siguruar atij mirërritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij.