Gurakuqi: Apeli po zvarrit gjyqin për kreun e PDK-së
Prej më shumë se 7 muajsh, në hallkat e gjyqësorit ka nisur procesi gjyqësor për marrjen e një vendimi në lidhje me drejtimin e PDK-së. Kryesia e PDK-së ka bërë me dije dje se, "megjithëse demokristianët shprehën në mënyrë të lirë dhe demokratike vullnetin e tyre në kongresin e jashtëzakonshëm për drejtimin e partisë nga Anton Gurakuqi, çështja kaloi për gjykim, për shkak të kontestimeve që iu bë këtij kongresi nga ish-kryetari Nard Ndoka". Demokristianët, që mbështesin Gurakuqin, bëjnë me dije se Gjykata e Apelit në Tiranë po e zvarrit qëllimshëm procesin për të krijuar konfuzion në radhët e PDK-së. "PDK-ja kërkon të tërheqë vëmendjen e Presidentit të Republikës, me cilësinë e kryetarit të KLD-së, institucionit të KLD-së, Prokurores së Përgjithshme, që përpara se të mbajnë fjalime dhe leksione për pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, të zbatojnë kompetencat që u jep ligji dhe mbi të gjitha parimet mbi të cilat janë zgjedhur dhe janë betuar para Kushtetutës që do t‘i zbatojnë", thuhet në komunikatën për shtyp të PDK-së.