PS: Kartat e identitetit në pikëpyetje, zgjedhjet në rrezik
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 janë në rrezik. Partia Socialiste paralajmëroi dje se po tentohet të shmangen nga procesi i votimit kategoria e personave që nuk kanë pasaporta. Nënsekretari për çështjet ligjore në këtë parti, Damian Gjiknuri, sqaroi se mospajisja e tyre me karta identiteti i përjashton nga procesi zgjedhor. "Prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit vazhdon të mbetet një proces i mbushur me plot mistere dhe aspak transparent", theksoi Gjiknuri. Sipas tij, kanë kaluar mbi 4 muaj nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, por akoma nuk dihet qartë dhe me saktësi se kur do të fillojë procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Në vend të informacionit të qartë mbi procedurat e këtij procesi dhe detyrimet në lidhje me të, sqaroi ai, qeveria "Berisha" na servir show televiziv me karakter historiko-epik në lidhje me ndryshimet e simboleve kombëtare në dokumentet e ardhshme. "Dhe nuk thotë asgjë se kur do të fillojë ky proces dhe në çfarë faze ndodhet", insistoi Gjiknuri. Përtej deklarimit zyrtar se shpërndarja do të fillojë në janar 2009, konstatoi ai, asnjë e dhënë konkrete nuk e mbështet këtë hipotezë, pasi akoma në vendin tonë nuk kanë mbërritur pajisjet ‘enrollment‘ për mbi 300 pika apo të personalizimit, që janë të domosdoshme për përpunimin e të dhënave dhe prodhimin e kartave. "Gjithashtu, fakti publik për vazhdimin e publikimit të kërkesave për personel që do të punojë me këtë proces vetëm 1 muaj përpara fillimit të procesit të shpërndarjes, e bëjnë këtë afat edhe me të dyshimtë", u shpreh Gjiknuri. Partia Socialiste shpreh shqetësim edhe nga fakti se baza ligjore për bërjen e mundur të shpërndarjes së kartave në mënyrë të detyrueshme, pothuajse nuk ekziston, duke hedhur më shumë dritë mbi falsitetin e deklarimeve zyrtare. Juristi i socialistëve nënvizon se më pak se 7 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e radhës dhe shqiptarët akoma nuk e dinë se kur do të pajisen me karta identiteti. "Në ligjin e ri zgjedhor, qeveria ka marrë angazhimin për pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojë pasaportë" , tha ai. Por parashikimet buxhetore që u miratuan me kartonët e shumicës nuk parashikojnë asnjë fond në lidhje me këtë angazhim. "Kjo gjë na bën të dyshojmë se edhe ky premtim është demagogjia e radhës, për të mos thënë një përpjekje tinëzare për të sabotuar pajisjen e zgjedhësve me karta identiteti, e si rrjedhim inxhinierimin e rezultatit elektoral me anë të përjashtimit të një grupi zgjedhësish nga procesi i votimit", theksoi Gjiknuri. Socialistët, pas miratimit të Kodit Zgjedhor thanë se do t‘i kërkojnë llogari qeverisë kur (konkretisht në cilën datë) do të bëhet e mundur që në çdo zyrë të gjendjes civile të nxirren nga ky regjistër listat paraprake të zgjedhësve për çdo qendër votimi, duke krijuar kështu kushtet për të filluar procesi i afishimit dhe i rishikimit të tyre në çdo njësi të qeverisjes vendore.