E Diel, 1 Nëntor 2026

Gurakuqi: Ndoka të largohet nga kreu i PDK

Pas ish-kreut të grupit parlamentar Pashko Ujka, edhe zv.ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Anton Gurakuqi, kërkon shkarkimin e kryetarit Nard Ndoka.

 Anëtari i kryesisë së PDK-së deklaroi se, "për të rikthyer PDK-në për të përfaqësuar vlerat e saj demokristiane, Ndoka duhet të largohet". Në të njëjtën kohë Gurakuqi kërkoi falje për veprimtarinë e PDK-së deri më tani. "Ne jemi këtu sot për t'i bërë thirrje që të largohet nga kjo parti dhe të shkojë atje ku ka qenë, që ta lërë këtë parti që të ketë më të vërtetë vlerat dhe identitetin që ajo meriton. Përndryshe ne do të ndërmarrim tërë rrugën ligjore për ta larguar në një kohë sa më të shpejtë Nard Ndokën nga drejtimi i PDK-së. Jam këtu edhe në emër të të gjithë demokristianëve të ndershëm për t'ju bërë edhe opinionit publik dhe punonjësve komunitetit mjekësor një falje publike", është shprehur Gurakuqi gjatë një konference për shtyp. "Ka një kohë të gjatë që ministri Ndoka është duke treguar një perfomancë shumë të dobët, një paaftësi në kryerjen e detyrës", vijoi më tej zv.ministri i PDK-së në qeveri. Pas votimit të hënën në mbrëmje në Parlament, lidhur me ndryshimet kushtetuese, Pashko Ujka është shprehur se kjo forcë politike nuk përfaqëson më elektoratin kristian në Shqipëri. Madje, ai vazhdon akoma më tej, duke thënë se kryetari i Partisë Demokristiane dhe ministri i Shëndetësisë nuk ka një diplomë të shkollës së mesme. Ndërkohë zv.ministri tjetër demokristian, Bushati, është shprehur se shkarkimi i Ujkës nga kryetar grupi është i pamenduar mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›