E Diel, 1 Nëntor 2026

"Taçi Oil" piketon Livornon

Është ngushtuar rrethi i skuadrave për të cilat interesohet kompania shqiptare "Taçi Oil" dhe gjatë orëve të fundit po flitet gjithnjë e më shumë se është Livorno, klubi që mund të ketë pronar shqiptar vitin e ardhshëm.

Të martën në të përditshmen italiane "Tuttomercato" i ishte kushtuar një artikull pikërisht kësaj çështjeje, ku thuhej se kompania shqiptare e karburanteve ka piketuar klubin toskan dhe me shumë mundësi, gjatë javëve të ardhshme mund të ketë një ofertë konkrete nga pala shqiptare për të blerë aksionet e kësaj skuadre. Presidenti i Livornos, Aldo Spineli, ka deklaruar shpesh kohët e fundit se do të largohet nga drejtimi i skuadrës, duke irrituar tifozët e ekipit, të cilët janë të pakënaqur me faktin që skuadra rrezikon të zbresë në Serinë B. Ndërkaq, sipas zyrës për komunikim me publikun, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë shqiptare, Rezart Taçi, ka ngarkuar tashmë stafin e tij për të filluar kontaktet zyrtare me disa klube në Itali. Vetë kreu i qeverisë së re italiane, Silvio Berluskoni, i ka hapur rrugën investitorëve të huaj në futbollin italian, duke thënë se nuk sheh asgjë të keqe në këtë drejtim. Menaxheri i përgjithshëm i "Taçi Oil", Rezart Taçi, ka marrëdhënie shumë të mira me Berluskonin, çka bëri të mundur edhe realizimin e projektit "Milan Junior Camp", i cili do të zhvillohet në fund të qershorit dhe do të marrin pjesë 400 fëmijë dhe të rinj shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›