E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ja kritikon Kosovën: Dy sistemet arsimore përforcojnë ndarjen etnike



Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë i tërhoqi vërejtjen Kosovës se ekzistimi i dy sistemeve arsimore, përkatësish programi i Serbisë për nxënësit serbë dhe programi i Kosovës për nxënësit kosovarë krijon probleme të rënda në vend dhe përforcon ndarjet etnike. Nxënësit serbë të cilët jetojnë në zonat me shumicë serbe në Kosovë prej dhjetë vjetësh vijojnë mësimin në bazë të plan-programeve të ministrisë së arsimit të Serbisë ndërsa nxënësit shqiptarë dhe ata të komuniteteve të tjera, mësojnë sipas plan-programit të Kosovës. Shefi i OSBE-së, Verner Almhofer, duke publikuar një raport për komunitetet jo shumicë në Kosovë dhe sistemet arsimore të nivelit fillor dhe të mesëm, vuri theksin në nevojën e krijimit kushteve të barabarta për arsim për të gjitha komuniteteve. “Mendojmë se cilësia e mirë e ofruar për të gjitha komunitetet është thelbësore për Kosovën dhe arsimi duhet të fuqizojë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, në mënyrë që ata të gëzojnë mundësi të barabarta dhe të integrohen në shoqëri. Detyrat janë mjaft të vështira, meqë plan programi arsimor në gjuhën serbe akoma nuk është hartuar”, - tha Almhofer. Ai u kundërshtua nga zëvendësministri i Arsimit, Agim Hyseni, i cili tha se qeveria e Kosovës është e pajisur me plan programin arsimor edhe në gjuhën serbe, por ai nuk zbatohet nga vetë serbët.

SHBA, republikani Spekter ndërron krahun në Senat

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë forcuar shumicën e tyre në Senat, pas largimit të një senatori veteran republikan. Arlen Spekter, i shtetit të Pensilvanisë, tha se po ndërronte krah, sepse republikanët kishin kaluar shumë në skajin e së djathtës. Ai tha se vota e tij për paketën stimuluese fiskale të presidentit Obama kishte çuar në ndarjen e tij përfundimtare me republikanët. Ky vendimi u jep demokratëve 59 vende nga 100 në Senat. Senatori u tha gazetarëve se vendimi kishte qënë një zgjidhje e vështirë. “E di që po zhgënjej shumë miq dhe kolegë, por sinqerisht kam qenë i zhgënjyer nga disa prej reagime në të dyja drejtimet. Unë nuk e marr këtë vendim nga mungesa e sfidave të tjera, apo gjërave të tjera interesante që mund të bëj në Senat, po sepse ka shumë projekte që dua t’i çoj përpara për Pensilvaninë me karrierën time prej veterani në Senatin amerikan”, - tha Arlen Spekter.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›