E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova shtet, Serbia braktis konferencat në Pragë dhe Stamboll



Blerina Olldashi
Pjesëmarrja e Kosovës në organizmat ndërkombëtare ka shkaktuar pakënaqësinë e Serbisë, përfaqësuesit e së cilës kanë braktisur dje një konferencë në Pragë dhe Panairin e 9-të Ndërkombëtar të Industrisë Ushtarake në Stamboll. Serbia braktisi punimet e konferencës “Ndërtimi i partneritetit në fushën e migrimit”, që u mbajt në Pragë për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës si shtet. Serbia edhe më herët kishte kundërshtuar përfaqësimin e Kosovës, megjithatë shteti i ri mori pjesë në këto punime duke marrë edhe mbështetje të gjerë nga pjesëmarrësit. Numri dy i Komisionit Europian, Zhak Barrot, premtoi se edhe Kosova do të përfshihet në liberalizimin e vizave, ashtu si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por vetëm nëse i plotëson kushtet e nevojshme. Pjesëmarrja e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, në hapjen zyrtare të Panairit të 9-të Ndërkombëtar të Industrisë Ushtarake në Stamboll bëri që edhe ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, të braktiste sallën në shenjë revolte. Në panairin ndërkombëtar ishin të pranishëm ministri i FSK-së Mujota dhe komandanti i kësaj force, gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Në panair, i cili u organizua në përkujdesjen e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Vecdi Gonul, morën pjesë mbi 80 shtete të ndryshme të botës në nivel të ministrave të mbrojtjes dhe shefave të shtabeve të forcave të armatosura. Në hapjen solemne të Panairit mori pjesë edhe kryeministri i Turqisë, Taip Erdogan, ndërsa në prerjen zyrtare të shiritit atë e shoqëruan ministrat e Mbrojtjes së shteteve pjesëmarrëse në mesin e të cilëve ishte edhe ministri i FSK-së Mujota. Gjatë kësaj vizite, Mujota takoi ministrin turk të Mbrojtjes Gonul me të ciin disktuan për zhvillimet dhe arritjet në Kosovë. Nga ana e tij Ministri Gonul vlerësoi arritjet e deritanishme të FSK-së si dhe arritjet e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat. Qeveria e Turqisë bëri të ditur se do të jetë gjithnjë mbështetëse dhe përkrahëse pa rezervë për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Ministri Mujota me këtë rast falënderoi Turqinë për ndihmën dhe përkrahjen që ka dhënë për Kosovën dhe popullin e saj. Ai falënderoi gjithashtu për punën e ushtarëve dhe oficerëve turq në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Të dy ministrat shfaqën bindjen se thellimi i bashkëpunimit të dy vendeve, përveç interesit reciprok, reflekton klimë bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë, duke krijuar kushte për integrime të mëtejme euroatlantike.

Kuçi, thirrje Rusisë: “Njihni pavarësinë e Kosovës!”

Qeveria kosovare i ka kërkuar Rusisë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi u shpreh se Moska duhet ta marrë sa më shpejt këtë vendim, pasi njohja e shtetit të ri është faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit. Kuçi me këtë rast iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nga Rusia, Ukraina, Bjellorusia dhe Moldavia, që ndodheshin për një vizitë në Prishtinë. Sipas tij, është Rusia ajo që duhet të rrisë presionin mbi Beogradin për të ndalur dhunën në Veri të vendit dhe të njohë Kosovën. “Rusia mund të bëjë dy gjëra: të rrisë presionin mbi Beogradin duke e bindur që të mos shërbehet me dhunë, dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës”, - theksoi Kuçi, i cili vlerësoi se Kosova në çdo moment e ka e konsideruar Rusinë si një vend mik.
Rusia është një nga 13 vendet që dorëzuan deklaratat kundër pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që do të vendosë për legjitimitetin e saj.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›