E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stabiliteti i Maqedonisë në interes edhe të Kosovës

04/03/2005  Prishtina zyrtare, përkatësisht kreu i UNMIK-ut dhe Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, të mërkurën më 2 mars, në përvjetorin e 24 të Demonstratave të njohura të Marsit të ‘81-shit të shekullit të kaluar, ishin mikpritës të Kryeministrit të Maqedonisë, Vllado Buçkovski dhe ekipit të tij ekonomiko-politik, që mori opjesë në hapjen zyrtare të Përfaqësisë Tregtare Ekonomike të Maqedonisë në Kosovë.

Takimet e para të Kryeministrit të Maqedonisë u mbajtën në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë, ku ai dhe Kryeadministratori i Kosovës dhanë edhe nga një deklaratë për gazetarët, ndërsa pjesa kryesore e kësaj ngjarjeje u mbajt në lagjen "Arbëria", ku në një shtëpi, deri më tash private të një shqiptari në Prishtinë, filloi të valojë edhe flamuri i Maqedonisë.

"Stabiliteti i Maqedonisë është në interes të Kosovës", ka thënë Kryeministri Buçkovski pas takimit me Petersenin, duke shtuar se "sjellja pragmatike e pushtetit të Kosovës lidhur me kufirin, do të dëshmojë se Kosova ka kapacitet politik dhe se në vend të destabilizuesit mund të jet faktor stabiliteti në rajon".

Petersen edhe me këtë rast, si dhe një ditë më parë në Prishtinë, ka përsëritur se për çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë nuk janë kompetent as Beogradi dhe as Prishtina, por ai ka shprehur mbështetjen e tij që ky problem të zgjidhet para se të fillojë të zgjidhet çështja e statusit final të Kosovës. Me këto propozime megjithatë nuk pajtohet pala kosovare dhe në këtë frymë mund të shpjegohet edhe mosrealizimi i një takimi të paparalajmëruar zyrtarisht as në axhendat zyrtare të Buçkovskit, por shumë të kërkuar nga pala maqedonase me Presidentin e Kosovës, Rugova, me të cilin para më pak se një muaji kishin polemikë përmes mediave në Shkup e në Prishtinë, Rugova e Buçkovski.

Megjithatë, Kryeadministratori i UNMIK-ut në Kosovë, z.Petersen, në një deklaratë të tij të mërkurën në Prishtinë tha: "Edhe kur isha përfaqësues special i BE-së në Maqedoni e edhe me këtë funksion që e kam tani, do të them se kjo çështje (e kufirit) nuk do të mbetet e hapur deri në kohën kur do t’i afrohemi bisedimeve për statusin".

Petersen ka thënë se problemi i kufirit do të zgjidhet përmes dialogut të drejtpërdrejtë mes Prishtinës e Shkupit, me një mënyrë joformale, por njëkohësisht duke u njoftuar për këto bisedime edhe Beogradi.

Buçkovski ndërkaq ka insistuar më shumë herë për një politikë të matur të politikanëve kosovarë, por njëkohësisht duke kërkuar garantim të sovranitetit të Maqedonisë dhe në Prishtinë tha se mendonte që në interes para së gjithash të kosovarëve dhe të politikanëve shqiptarë nga Prishtina është që sa më shpejt të mbyllet problemi i kufiirt me Maqedoninë.

Mendoj se tashmë të gjithë po e kuptojmë se sa më stabile të jetë Maqedonia, aq më të mëdha janë shanset që të dëshmohet se Kosova ka pushtet, se Kosova ka kapacitet të dëshmojë se në vend të destabilizuesit mund të jetë dhe të promovohet si faktor stabiliteti në rajon.

Të theksojmë se për 8 mars po paralajmërohet një takim i ri i përfaqësuesëve të Ministrive të Ekonomisë e Tregtisë të Kosovës e Maqedonisë, me përfaqësues edhe të UNMIK-ut, për harmonizim të qëndrimeve lidhur me Marrëveshjen për Tregti të Lirë Kosovë-Maqedoni.

Në Shkup, ndërkaq, është paralajmëruar një vizitë e Petkoviçit, ministër serb në Qeverinë e Kosovës, për të cilin thuhet se do të takohet edhe me Presidentin Branko Cërvenkovski dhe do të bisedojë edhe për kthimin e serbëve e të tjerëve që janë nga Kosova dhe të cilët dëshirojnë në vendin e tyre, ndër ta edhe për rreth 3000 romë, por disa burime të tjera, të afërta edhe me pushtetin në Maqedoni, thonë se është në përgatitje e sipër edhe një vizitë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Shkup, me më shumë takime me zyrtarë maqedonas e shqiptarë të Maqedonisë.

Sa u përket çështjeve ekonomike, për të cilat dhe është biseduar të mërkurën më shumë në Prishtinë, se merrnin pjesë në këtë ceremoni edhe më shumë biznesmenë nga Maqedonia që punojnë apo dëshirojnë të punojnë më shumë me Kosovën, e vlenë të thuhet se vlera e shkëmbimit të mallrave mes Maqedonisë e Kosovës vjet ka arritur deri në rreth 170 milionë dollarë, nga të cilat Kosova në Maqedoni eksporton mall vetëm rreth 5 milionë dollarë.

Se si do të jetë në të ardhmen, kur të lidhen dhe më shumë marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, ndër to edhe ajo e Tregtisë së Lirë, mbetet të shihet në përfundim të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›