E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këndi i shfaqjeve të huaja MJAFT

04/03/2005  E pabesueshme. Lëvizja MJAFT, ka ndërmarrë një fushatë kundër hapjes së kazinove në Shqipëri. Erion Veliaj, drejtuesi i kësaj lëvizjeje, ishte shprehur në shtyp që “kazinotë të ngrihen në Puke”, pra të “internohen” në malësi, kurse një tjetër drejtues i organizatës u shpreh “se kërkojnë referendum për hapjen ose jo të kazinove pranë komuniteteve, ku ato janë planifikuar të vendosen”. Po ashtu shpejtoi të thoshte ai “kazinotë janë burim krimi dhe të prishjes së rendit, pasi është e vërtetuar se nga shumica e atyre që luajnë në kazino kryejnë vepra penale”. E pabesueshme të gjesh në gojën e disa të rinjve në Shqipërinë e vitit 2000 një retorikë të tillë ndaj kazinove dhe lojërave të fatit, idem sikur të kishe marrë një instruktor të Komiteteve të Rinisë së viteve ‘80, në Shqipërinë Socialiste, që fliste “kundër shfaqjeve të huaja“, pra kundër bixhozit në rastin tonë.

Në Shqipëri është duke u zhvilluar për herë të parë një farë procesi, apo garë për të fituar licensën e ndërtimit të kazinove në Tiranë dhe diku në një rreth tjetër të Shqipërisë. Kjo garë ka njëmijë e një probleme dhe mbi të kanë rënë shumë dyshime për ndërshmërinë e përzgjedhjes së fituesve. Por kjo është një problem tjetër në këtë moment, lajmi është se Lëvizja MJAFT ka filluar “një luftë kundër bixhozit”.

Në fakt, një aksion i tillë, do të kishte një kuptim dhe nuk do të kontrastonte fare me logjikën e një aksioni publik racional, sikur identiteti i organizatorëve të luftës kundër kazinove të ishte ai një grupimi a organizate, që natyrën e saj ka të tilla kauza. Si për shembull “Shoqata e Nënave të ish-të Dënuarve Bixhozçinj”, “Nisma për një Jetë të Pastër pa Kumar”, për ndonjë organizatë fetare, etike apo kushedi se çfarë tjetër grupimi që merret me plot legjitimitet me një punë të tillë. Por për profilin e një Lëvizjeje Qytetare, si ajo që mëton të jetë MJAFT, kjo duket asgjë më shumë sesa krizë identiteti, e një organizate, e cila duhet të justifikojë tani emrin publik që vuri apo që u vunë, një nismë e tillë duket vërtet e çuditshme.

Por, në fakt nuk duket aspak çudi, madje duket shumë e natyrshme që MJAFT të përfundojë në të tilla aksione që e kategorizojnë atë në larushinë e grupeve majtiste që shihen gjithandej në Perëndim, herë në formën e antiglobalizmit, herë në formën e “gauche radikale” (e majta radikale), lëvizjeve ambientaliste, apo forma të tjera mikse, apo kontradiktore.

Po t’i hedhësh një sy natyrës së çështjeve, për të cilat është angazhuar Lëvizja MJAFT këto tre vjet, një prej dimensioneve të përbashkëta të pjesës kryesore të nismave të saj, veç të tjerash, është pikërisht fryma majtiste e aksionit të tyre.

Kështu për shembull, MJAFT protestoi kundër ngritjes së çmimeve të KESH dhe TELEKOM dy vjet më parë. Ngritja e çmimeve ishte një nga reformat e ndërmarra nga këto ndërmarrje monopol të shtetit, në kuadrin e përgatitjeve për liberalizimin e sektorëve të energjisë dhe telefonisë fikse. Të gjithë e dimë se ato janë shërbime nën kosto në Shqipëri, një rudiment ende i pakuptimtë i sektorit të shërbimeve publike, pra që kompensohen nga paratë e taksapaguesve të tjerë. Kjo është një lëvizje tipike, që ka si frymë “rishpërndarjen e të ardhurave në një shoqëri”.

E njëjta gjë mund të thuhet për OMGJ-të, kur MJAFT u angazhua në një fushatë kundër importimit të tyre në Shqipëri, një aksion tipik i të majtës dhe ambientalistëve kundër progresit teknologjik dhe të shumëkombësheve kanë industrializuar teknikat e inxhinierisë gjenetike.

E njëjta gjë mund të thuhet për aksionin e MJAFT, për një nga koncesionet e impiantit të përpunimit të plehrave në Shqipëri, pavarësisht se për këtë çështje gjëja për të cilën duhej protestuar ishte mënyra e dhënies së këtij koncensioni dhe termat e kësaj kontrate për interesat e palës shqiptare.

Rishfaqja e këtij dimensioni të “fshehur” të Lëvizjes MJAFT në çështjen e kazinove është, ndoshta, pozitive që MJAFT më në fund t’i japë vetes një identitet, një formë të qartë se “për çfarë është” në aksionin publik në Shqipëri. Po ashtu, MJAFT duhet të çlirohet nga kompleksi për të kamufluar edhe më tej filozofinë e vet, frymën e vet apo në fund të fundit për të shpallur publikisht se në cilat vlera dhe ide beson. Në këtë kuptim, ndoshta do të duhej të shihej me pozitivitet aksioni i fundit i MJAFT kundër kazinove.

Por, le t’i lëmë të qetë kumarxhinjtë, bixhozçinjtë apo amatorët e lojërave të fatit, duke mos u hedhur më në shpinë ato stigmatizime që kanë vuajtur gjatë komunizmit.

Në Shqipëri, njerëzit e kanë fituar të drejtën të ushtrojnë një nga kënaqësitë me të lashta të argëtimit njerëzor, lojërat e fatit. Secili bën zgjedhjen e tij, sipas etikës, preferencave apo financave të veta të luajë apo jo në kazino, të bëjë një dorë letra apo të plotësojë një biletë llotarie. Ashtu sikurse ky biznes duhet të zhvillohet lirshëm, sa më lirshëm të jetë e mundur jashtë kufizimeve ligjore, etike apo të çfarëdo natyre qofshin. Njerëzit janë të lirë të bëjnë atë që u pëlqen dhe të marrin përgjegjësinë vetë të akteve që kryejnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›