E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurët në veshka, pacientët jo më në thikë

Pacientët që do t’i drejtohen spitalit “Nënë Tereza” për gurët në veshka nuk do t’i nënshtrohen më operacionit për heqjen e tyre. Pas 7 vjetësh pezullimi, në Shërbimin e Urologjisë pranë QSUT-së është vënë në punë aparatura e re e liptotriptisë, që bën të mundur thërrmimin e gurëve në veshka deri në madhësinë 2 mm, pa qenë e nevojshme të kryhet operacioni. Shefi i shërbimit të Urologjisë, Mustafa Xhani, ka pohuar se kjo aparaturë punon me kapacitet të plotë, duke përballuar 4-5 raste në ditë. “Prej 3 muajsh ne u ofrojmë pacientëve edhe mundësinë e thërrmimit të gurëve me anë të ultratingujve. Përfitojnë të gjithë ata pacientë të cilët kanë në veshka një gur më të vogël se 2mm, kurse të tjerët janë të detyruar t’i nënshtrohen operacionit. Ajo që doja të theksoja është se pacientët e siguruar e përfitojnë këtë shërbim për vetëm 1800 lekë, dhe ata të pa siguruar për 18 mijë lekë të reja, ndërkohë që në klinikat private kushton deri në 70 mijë lekë”, - ka pohuar Xhani. Sipas tij, në ditët e para të vendosjes së aparaturës ka pasur edhe një fluks më të madh pacientësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›