Matura, hiqet tarifa për provimet me zgjedhje
Hiqet tarifa që maturantët kanë paguar deri një vit më parë për t’iu nënshtruar dy provimeve me zgjedhje të Maturës, nga të cilat varej edhe e drejta për të konkurruar për në universitet. Duke qenë se këtë vit, për herë të parë, katër provimet e Maturës si ato të detyrueshme edhe ato me zgjedhje, do të jenë kusht i domosdoshëm për t’u pajisur me Diplomën e Maturës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka vendosur që të mos paguhet më taksa e regjistrimit prej 1500 lekësh për provimet me zgjedhje, që kryhej në momentin e dorëzimit të formularit A1. Për këtë arsye, kreu i Arsimit ka firmosur dje një urdhër të dytë për ndryshimin e rregullores së Maturës Shtetërore 2011, sipas të cilit, maturantët do ta paguajnë tarifën përkatëse, masa e së cilës ende nuk bëhet e ditur për këtë vit, nëse dëshirojnë të vijojnë studimet në universitetet publike të vendit, çka do të thotë kur të plotësojnë formularin A2 për pranimet në universitete. Më konkretisht, në urdhrin e fundit të ministrit të Arsimit, për ndryshimet në rregulloren e Maturës, thuhet: “Rregullorja për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2001 në Republikën e Shqipërisë ndryshon sipas përcaktimeve të mëposhtme: Neni 29 zëvendësohet si më poshtë: Maturantët/kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë publik, të paguajnë tarifën përkatëse sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit. Neni 30 hiqet. Neni 31 hiqet. Neni 34, pika 7 hiqet”. Në nenin 29 të shfuqizuar të Maturës përcaktohej se çdo kandidat, që jep provimin e lëndëve me zgjedhje, paguan tarifën e Maturës, sipas udhëzimit që dërgon MASH. Kurse sipas nenit 30, regjistrimi i çdo kandidati për provimin e lëndëve me zgjedhje, konsiderohej përfundimtar, nëse, krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar i bashkëngjitet mandatarkëtimi që vërteton pagesën e tarifës së Maturës. FormulariA2, i plotësuar, pranohet vetëm i shoqëruar me mandatarkëtim. Neni i tretë i shfuqizuar, 31, përcaktonte se, nëse kandidati nuk merr pjesë në provimin e lëndëve me zgjedhje, për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet. Më tej, pika 7 që është hequr nga neni 34 i rregullores së Maturës 2011, ka të bëjë me maturantët që e kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe duan të vijojnë studimet e larta në Shqipëri. Sipas kësaj pike, në rastet kur Komisioni vlerëson se dokumentet shkollore të shtetasve shqiptarë të arsimuar jashtë nuk dëshmojnë dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2.
Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës.