E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPEC, i vendosur për rritjen e prodhimit të naftës

Anëtarët kyç të kartelit të OPEC-ut, përfshirë Arabinë Saudite, Kuvaitin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Nigerinë, po rrisin prodhimin e naftës me qëllim pengimin e rritjes së cmimit, që është ngritur gjatë trazirave në shtetet arabe. Lëvizja u përgjigjet shqetësimeve globale se trazirat në kombet arabe mund të ndërpresin furnizimin ndërkombëtar të naftës. Gjithashtu, ajo i përgjigjet edhe frikës se çmimi i lartë i naftës mund të katapultojë inflacionin ose të rrisë depresionin ekonomik. Në veçanti, rritja e prodhimit në vendet e OPEC do të kompensonte rënien e ulët të furnizimit nga ana e Libisë, e cila është përfshirë nga lufta civile. Por, ministri kuvaitian i Naftës, Sheikh Ahmad al-Abdullah al-Sabah ka deklaruar se OPEC ka qenë në bisedime për rritjen e prodhimit, por ende nuk ka vendosur për ta bërë një gjë të tillë. Organizata e vendeve prodhuese dhe eksportuese të naftës është nën presion të lartë, për të rritur kuotat e prodhimit, në mënyrë që të ndalë rritjen e çmimit të naftës, aktualisht, pranë nivelit 100 dollarë për fuçi. Kuotat aktuale të prodhimit, organizata i vendosi në mbledhjen e dhjetorit të vitit 2008, kur kriza financiare rrëzoi çmimin e naftës në më pak se 35 dollarë për fuçi. Ndërkohë takimi i radhës i OPEC është planifikuar për muajin qershor, por historikisht grupi ka treguar fleksibilitet të mjaftueshëm, për t’u mbledhur jashtë axhendës në rastet e nevojshme. Ende nuk është e qartë, nëse do ndryshojë politika e prodhimit në takimin e Riadit, por ministrat mund të caktojnë një tjetër datë për t’u mbledhur përpara muajit qershor. Më parë ministrat e OPEC kanë refuzuar të rrisin prodhimin, duke fajësuar spekulatorët për vlerën e lartë të naftës në treg dhe duke argumentuar se niveli i stokut të naftës bruto është ende i lartë. Por nga ana tjetër, analistët e tregut energjetik thonë se çmimi i naftës është rritur si pasojë e përmirësimit të ekonomisë në vendet e industrializuara, që janë dhe konsumatorët e parë të këtij produkti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›