E Diel, 1 Nëntor 2026

Gurorja pranë tuneleve të municioneve, ankohen banorët

 

Ekspertët: Punohet në kushte të plota sigurie, nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve

 

LIBRAZHD-Gurorja pranë tuneleve në zonën e Mirakës nuk paraqet rrezikshmëri për banorët. Në këtë përfundim ka mbërritur dje grupi i specialistëve të xhenios në prefekturën e Elbasanit, pas verifikimit të bërë me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm si dhe në bazë të një ankese të bërë nga banorët. Ankesë e bërë për kushtet teknike dhe problemet që mund të shkaktonte ajo për depot, për rrugën dhe për vetë banorët. Pak ditë më parë, ishte depozituar një ankesë nga këta banorë në Prefekturën Elbasan, duke e cilësuar guroren një rrezik për depot, pasi mund të krijonte shembjen e tyre. Nga këto depo të Mirakës në komunën Polis të rrethit të Librazhdit janë nisur sasi të konsiderueshme municionesh drejt Gërdecit. Sasia e këtyre municioneve ruhet nga sekreti shtetëror, por nga të dhëna të tjera bëhet e ditur se kanë qenë disa llojesh dhe sasi të mëdha nisur nga mjetet që kanë lëvizur nga këto tunele në drejtim të Tiranës. Ankesa është marrë seriozisht nga ekspertët, të cilët kanë parë nga afër punimet, largësinë dhe kushtet e sigurisë pranë depove. Burime nga Prefektura bëjnë të ditur se nga verifikimi i bërë rezultoi se kjo gurore ushtron aktivitetin e saj në kushte sigurie dhe pa vënë në rrezik tunelet ku mbahen municione të kalibrave të ndryshme. Gjithçka sipas këtyre ekspertëve është konform rregullave dhe dispozitave të sigurisë. Prefekti i Elbasanit, Rezart Kovaçi, nëpërmjet zëdhënësit të tij bën të ditur se nisur nga situata e krijuar është bashkërenduar puna me të gjithë shefat e reparteve për të parandaluar çdo lloj ngjarjeje që vë në rrezik jetën e njerëzve. Fillimisht në guroren pranë Tuneleve të municioneve në Mirakë është pezulluar puna, por kjo nuk ka zgjatur shumë dhe pas verifikimit të ekspertëve gurorja ka nisur sërish nga puna me gjithë ankesën e banorëve të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›