Tatimet, kontroll në të gjithë vendin për punën e zezë
Sektori i Task-Forcës në Tatime ka nisur ditët e para të këtij muaji një fushatë kontrolli masiv, për të evidentuar punonjësit që punojnë në të zezë. Kontrolli ka prekur të gjitha qytetet e mëdha, por ky sektor ka premtuar se në të gjithë vendin do të shtrihet kontrolli ndaj bizneseve. “Objektivi i këtij kontrolli ishte verifikimi i deklarimit të punonjësve në skemën e pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, evidentimi i punonjësve të padeklaruar, si dhe regjistrimi i subjekteve të paregjistruara në organin tatimor, të cilat ushtrojnë aktivitet dhe nuk shlyejnë detyrimet tatimore”, - kanë bërë të ditur tatimet. Në qytetin e Tiranës këto kontrolle janë kryer në rrugën “Myslym Shyri”, “Islam Alla”, “Sami Frashëri”, “Muhamet Gjollesha”, “Zogu I”, “Rruga e Kavajës” etj. Gjatë kontrollit në 763 subjekte janë evidentuar 163 punonjës të padeklaruar, për të cilët është vendosur gjoba prej 1.630.000 lekësh. Ligji parashikon gjobën 10 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar. Gjithashtu janë vendosur 3 gjoba për mosregjistrim të aktivitetit të 3 subjekteve me vlerë 75 mijë lekë. Gjatë këtyre kontrolleve janë mbajtur 98 akt-konstatime, nga të cilat 33 akt-konstatimi janë mbajtur për ato subjekte që nuk kanë paraqitur listë-pagesat e punonjësve të deklaruar në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në momentin e kontrollit, si dhe 55 akt- konstatime janë mbajtur në subjekte të paregjistruara në QKR. Sipas ligjit të procedurave tatimore të datës 19.5.2008, këto subjekte detyrohen që brenda 15 ditëve nga data e identifikimit të tyre, të regjistrohen në QKR. Nëse nuk regjistrohen brenda këtij afati, atyre iu mbyllet veprimtaria dhe nuk mund të regjistrojnë veprimtari tjetër për një periudhë prej 6 muajsh. Nga kontrollet në qytetin e Elbasanit, në 173 subjekte u evidentuan 6 punonjës të padeklaruar dhe u mbajtën 19 akt-konstatime. Në 147 subjekte të kontrolluara në qytetin e Lezhës numri i punonjësve të padeklaruar ishte 7. Në shifra të larta ishte kontrolli në qytetin e Durrësit, ku brenda një dite u kryen kontrolle në 210 subjekte. Gjoba për 28 punonjësit e padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që u evidentuan në këto subjekte të kontrolluara arritën në shifrën e 280 mijë lekësh. Nga kontrolloret tatimore u vu edhe një gjobë për mosregjistrim në shifrën e 25 mijë lekëve. Fshehja e detyrimeve tatimore përbën evazion fiskal dhe dënohet me gjobë të barabartë me 100 % të diferencës së shumës së përllogaritur nga ajo që duhej të ishte në fakt. Tatimpaguesi që nuk arrin të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin tatimor, detyrohet të paguajë një gjobë me 10.000 lekë për çdo shkelje, kur është biznes i vogël dhe me 50.000 lekë kur është lloj tjetër biznesi. Tatimpaguesi punëdhënës që nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10.000–20.000 lekë për çdo rast. Ndërsa tatimpaguesit që kryejnë transaksione shitjeje apo blerjeje me para në dorë për shuma që tejkalojnë 300.000 lekë, dënohen me gjobë në masën 10 % të vlerës së secilit transaksion. Dënimi nuk aplikohet ndaj individëve jotregtarë, por aplikohet ndaj shitësit, i cili pranon pagesa me para në dorë nga individët në shuma mbi 300.000 lekë. Në të tilla raste individi jotregtar duhet të paguajë blerjen në llogarinë bankare të shitësit person juridik ose fizik tregtar. Ky dënim do të aplikohet si për blerësin, edhe për shitësin. Personi i tatueshëm që nuk paguan brenda afateve shumën e detyrimit tatimore a të kontributit të sigurimeve shoqërore, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj apo pjesë të muajit gjatë gjithë kohës së vonesës deri në pagimin e tatimit. Në asnjë rast kjo gjobë në total nuk duhet të jetë më e vogël se 10.000 lekë dhe më e madhe se 25 % e detyrimit të papaguar. Tatimpaguesi për mallra të pashoqëruara me dokumentet e duhura tatimore dënohet me konfiskim të gjithë sasisë së mallit.