E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pango: Fitova bastin për turizmin

Ministri i Turizmit, Ylli Pango, ka deklaruar para disa kohësh se do të jepte dorëheqjen në qoftë se shifrat e turizmit nuk do të ishin në rritje. Sipas bilancit, ai mendon se e ka fituar bastin dhe sfidën që i kishte vënë vetes për zhvillimin në sektorin e turizmit. “Unë nuk e kuptoj pse shqiptarët duhet të jenë pesimistë për veten, kur edhe të huajt na përgëzojnë dhe janë më optimistë për zhvillimin”, - tha ministri. Shqipëria, sipas Pangos, ka kaluar Malin e Zi dhe Maqedoninë me të ardhurat vjetore 1 miliard euro nga turizmi.

Cilat janë masat që po zhvillon qeveria shqiptare për përmirësimin e infrastrukturave në zonat turistike dhe për të mos lejuar dëmtimet që prishin peizazhet natyrore të bregdetit apo të vendeve malore?

Ligji dhe amendamentet aktuale pengojnë zhvillimin pa kriter të infrastrukturës. Qeveria i ka dhënë një afat 6-mujor bashkive për të zbatuar masterplanin, që nuk lejon ndërtime jashtë rregullave. Në këto plane përfshihet Orikumi, Velipoja dhe shumë zona të tjera që janë me rëndësi për turizmin në vendin tonë. Turizmi është një nga sektorët që rrit mirëqenien e ekonomisë së vendit dhe sjell vende pune. Në vitin 2008, shifrat e të ardhurave në këtë fushë janë 1 miliard euro dhe numri i turistëve ka arritur 2.8 milionë turistë. Ne renditemi përpara Malit të zi dhe Maqedonisë.

Pikërisht, çfarë projektesh po zhvillohen për të tërhequr sa më shumë turistët e vendeve të BE-së, që siç dihet kanë fuqinë e blerjes dhe më shumë të ardhura për të shpenzuar?

Pas spotit publicitar të publikuar në CNN, ministria sapo ka përfunduar procedurën për një spot të ri që do shfaqet në “Euroneës”, gjatë vitit 2009. Ne besojmë se ky publicitet do të thithë sa më shumë turistë që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, për të forcuar promovimin e Shqipërisë, në muajin nëntor ne do përfaqësohemi në dy panairet më të mëdha të turizmit që do organizohen në Berlin dhe në Londër. Por ne nuk po harrojmë dhe turistët e vendeve të rajonit, të cilët do t’i prekim me aksione të veçanta publicitare.

Një nga problematikat e qytetarëve është papastërtia në zonat turistike. Cilat janë aksionet që ka ndërmarrë qeveria në këtë drejtim?

Agjencia Kombëtare e Turizmit ka lidhur kontrata me bashkitë për pastrimin e zonave turistike dhe në fillim të sezonit standardet e pastërtisë ishin në nivele të larta. Por me kalimin e kohës gjendja është përkeqësuar. Për ruajtjen e pastërtisë sistemet e pushtetit lokal duhet të sensibilizojnë më shumë ndjesinë e qytetarëve dhe me taksat lokale, ata mund të organizojnë një kompani pastrimi të përhershëm. Pushteti lokal duhet të impenjohet sa më shumë në këtë drejtim.

Praktikisht, ku mund të marrin informacione shtetasit e huaj që vijnë për vizitë në Shqipëri?

Qendrat e informacionit ndodhen tani në zonat më turistike të vendit, si Vlorë, Durrës, Sarandë dhe në guidat e broshurat në drejtim të turistëve po shtohen dhe po botohen sa më shumë.

1.3 milion dollarë për shtëpitë e Gjirokastrës

Qyteti i gurtë është një nga shembujt e rrallë të vendeve të Ballkanit, që ka ruajtur banesa të modelit otoman. Me qëllim restaurimin e objekteve monument kulture në qendrën historike të Gjirokastrës, qeveria shqiptare i ka akorduar Organizatës Botërore të Monumenteve (UNESCO) një fond prej 1.3 milion dollarësh. Kjo u njoftua dje nga Olsi Lafe, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS). Këto fonde janë zhbllokuar me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të MTKRS-së. Firmat restauruese që kanë fituar tenderin e organizuar nga UNESCO, po punojnë në zonën e Qafës së Pazarit dhe banesave të tjera pranë saj, si Agonatet, Kabilatet, Gurgaj. Këto punime po kryhen sipas planit të përgatitur në mënyrë profesionale nga UNESCO dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Objektivi kryesor qëndron ruajtja dhe autenticiteti i monumenteve që kanë vlera të padiskutueshme dhe janë shumë atraktivë për vizitorët e huaj dhe vendas. Ornamentet dekorative të qytetit të Kadaresë kanë tërhequr këtë vit 4 herë më shumë vizitorë, të cilët janë kryesisht italianë, francezë dhe grekë. Në periudhën 2007-2008 fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për Gjirokastrën kanë arritur në rreth 60 milionë lekë të reja, me fokus të veçantë qendrën historike, rrugët e fasadat, por edhe shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, Çabejt dhe disa të tjera. Për vitin 2009 nga buxheti i shtetit janë planifikuar rreth 43 milionë lekë për investime të tjera të përqendruara në monumentet historike. Lafe ka përmendur edhe rikonstruktimin e kalave të vjetra mesjetare të Himarës, Tiranës e Krujës, për të cilat është siguruar një fond 3 milionë eurosh nga Komisioni Evropian. Sipas tij, fondet për trashëgiminë janë rritur 10 herë.

L. Koroveshi

Ministria, marrëveshje me Shoqatën Shqiptare të Turizmit

Rëndësia dhe kontributi i turizmit në ekonominë shqiptare zë një vend madhor. Zhvillimi i kësaj fushe përbën një nga prioritetet për zhvillimin ekonomik të vendit. Në vitin 2008, fondet dhe rritja e buxhetit që i janë akorduar MTKRS për investime të brendshme janë 10 herë më të larta se viti 2006. Për të përmirësuar këtë sferë të ekonomisë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango, firmosi një marrëveshje bashkëpunimi midis MTKRS dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA). Të vetëdijshëm se turizmi përbën një nga fushat prioritare të zhvillimit ekonomik të vendit, ky vullnet i përbashkët për bashkëpunim, synon krijimin e komunikimit midis të dy sektorëve. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do ofrojë hapësira të reja për të gjithë sektorët që përfshin ATA, duke krijuar mundësinë e organizimit të sektorit privat në një zë të përbashkët, – shpjegoi z. Ylli Pango, duke theksuar se, – qëllimi i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi i të dy sektorëve, për rritjen e gamës, cilësisë së shërbimeve nga operatorët turistikë sipas standardeve, frymës dhe strategjisë që zhvillohen në këtë sektor në vendet e Bashkimit Evropian”. Presidentja e ATA-s, znj. Leida Matja, u shpreh se “turizmi nuk mund të organizohet pa një partneritet të shëndoshë midis sektorit privat dhe atij publik, sepse ai prek të gjitha fushat e ekonomisë”. Palët kontraktuese të kësaj marrëveshjeje janë të interesuara për zhvillimin dhe konsolidimin e partneritetin ndërmjet aktorëve qeveritarë dhe shoqërisë civile, dhe synojnë menaxhim më të mirë të destinacioneve turistike shqiptare. Shifrat janë inkurajuese, vetëm për tetëmujorin e parë të vitit 2008 numri i turistëve që ka vizituar vendin tonë është 2.089.583.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›