E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori Fullani: “Mungesa e parave dhe kreditimi i lartë nga bankat, rrezik krize”



Ervin Koçi

Bankat private shqiptare kanë hasur kosto shtesë për fondet e veta si pasojë e krizës financiare botërore, bëhet e ditur nga vetë bankierët shqiptarë, drejtues të disa bankave private. Kjo situatë, edhe pse nuk është konsideruar si një shenjë kolapsi financiar nga ana e Bankës së Shqipërisë, kreu i saj, guvernatori Ardian Fullani, nuk ka ngurruar që të tërheqë vëmendjen dhe të kërkojë marrjen e masave. Deklarata e tij, e bërë dje gjatë Forumit të Hapur mbi Stabilitetin e Sistemit Bankar në Shqipëri, ka pasur pikërisht në qendër tërheqjen e vëmendjes dhe marrjen e masave të menjëhershme mbi situatën në vijim. “Dallimi midis bankave të mëdha dhe të vogla, kur bie fjala për besimin e publikut ndaj sistemit në tërësi, është relativ. Çdo bankë ka rolin dhe vendin e saj në sistem dhe dallimi midis konceptit bankë e vogël apo bankë e madhe në kontekstin e rreziqeve sistematike, sa vjen e zbehet”, - ka deklaruar guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Në lidhje me këtë Fullani ka tërhequr vëmendjen dhe ka thënë se “nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit”. Por, sipas Fullanit, gjithsesi, sistemi bankar në vend qëndron jashtë rrezikut të një kolapsi si ai në SHBA. “Imuniteti i sistemit tonë bankar ndaj kësaj krize rrjedh nga disa faktorë si: niveli relativisht i ulët i ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare; nga niveli i ulët i integrimit në përgjithësi; si dhe mirëkapitalizimi i veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre, që veprojnë në vendin tonë”, - tha më tej Fullani.

Problemet e shumëfishta

Tregu bankar në Shqipëri rezultoi me fitime të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar. Fitimet e sistemit arritën në një nivel rekord të ardhurash prej 10.5 miliardë lekësh (83 milionë euro ose 131 milionë dollarë). Fitimet e bankave u rritën me 47 për qind gjatë vitit të kaluar. Por situata duket se nuk është e njëjtë këtë vit. Kreditë e këqija po prodhojnë humbje të konsiderueshme, të cilat, ndonëse nuk përbëjnë rrezik për stabilitetin e bankave, gjithsesi rrezikojnë fitimet. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë e këqija po rriten me shpejtësi. Në dhjetor të vitit të kaluar, qenë 80 milionë euro. Në qershor të këtij viti, kredia me probleme arriti në rreth 130 milionë euro. Vetëm gjatë tremujorit të dytë u shënua rritja e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me rreth 2.7 miliardë lekë ose me 21.6 për qind, nga 2.5 miliardë lekë ose 25.2 për qind për tremujorin e mëparshëm.

Masat e sigurisë

Banka e Shqipërisë ka ngritur në nivele të larta shqetësimin për rritjen e rreziqeve të mëdha në ekonominë tonë në lidhje me ndryshimin e kursit të këmbimit dhe ndryshimin në interesat e huamarrjes. BSH-ë tha se kriza e madhe botërore do të sjellë probleme të mëdha edhe për ekonominë tonë, e cila është një ekonomi e vogël dhe mjaft e brishtë. Sipas BSH-së, ndryshimet në interesa mund të theksojnë më tej faktorët që mbështesin kredidhënien në valutë, dhe për të ruajtur pjesën e tyre të tregut e për të kontrolluar kostot e financimit, sektori bankar mund të zgjedhë të financohet nga tregu i jashtëm në valuta jo-kryesore (të ndryshme nga dollari amerikan dhe euro), me norma interesi relativisht më të ulëta. Këto lëvizje mund të shkaktojnë ashpërsimin e karakteristikave të rrezikut që mbart huadhënia e shpejtë dhe veçanërisht ajo në valutë, si rezultat i financimit në një valutë, rreth së cilës nuk ekziston njohja e nevojshme nga ana e kredimarrësit dhe i rritjes së madhësisë së vlerës së këstit të kredisë që duhet paguar, për kreditë me normë interesi të ndryshueshme.

Portofoli i kredive

Ndjeshmëria e portofolit të kredisë në valutë ndaj një ndryshimi të mundshëm, të pafavorshëm të kursit të këmbimit, bëhet edhe më e madhe. Bankat ashtu edhe klientët e tyre huamarrës duhet të ndjekin me kujdes dinamikën e zhvillimeve të këtyre faktorëve dhe të kryejnë veprimet e nevojshme për t’u mbrojtur nga zhvillimi i tyre i pafavorshëm. Analiza “stress-test” mbi rrezikun e drejtpërdrejtë të ndryshimit të normës së interesit dhe analiza e rrezikut të tërthortë të kreditit nga ndryshimi i normave të huaja të interesit për valutat kryesore, tregojnë se sektori bankar në tërësi paraqet një rezistencë të mjaftueshme ndaj këtyre rreziqeve. Megjithatë, banka të veçanta paraqesin një ndjeshmëri relativisht të lartë ndaj këtyre rreziqeve. Autoriteti qendror monetar bën të ditur se lëvizjet e kursit të këmbimit, përveç pasigurisë për vlerën e valutave kryesore (dollari amerikan dhe euro) që ekziston në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës financiare, drejtimi i ndryshëm i lëvizjes së normave bazë të interesit në kushtet e përparësive të ndryshme të bankave qendrore, ndodh të krijojë mundësi për lëvizje ekstreme të diferencës mes tyre, si edhe ndryshim të vlerës së tyre në raport me monedhën kombëtare.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›