E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu shqiptar i sigurimeve, dominues vetëm policat e detyrueshme



Gjatë 8 muajve të parë të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun shqiptar, duke sjellë rreth 58.54 për qind të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme (sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë), në këtë periudhë të vitit 2008, ishin rreth 1,817 milionë lekë. Por, sipas ekspertëve të AMF-së, rritja e të ardhurave me 4.96 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 7.86 për qind të numrit të kontratave. Në periudhën janar-gusht 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 622 milionë lekë, ose 13.56 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 10.89 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë. Sigurimi Kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 40.40 për qind në krahasim me janar-gusht 2007. Në të njëjtën kohë numri i kontratave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 11.15 për qind. Gjatë kësaj periudhe primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 235 milionë lekë. Efekti vjen nga ulja e tarifave të shitjes të këtij lloj sigurimi.

Ministria e Bujqësisë: “Çmimet e ushqimeve në shtator, të stabilizuara”

Drejtoria e Statistikës në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit njoftoi të hënën se në muajin shtator 2008, kundrejt muajit gusht, çmimet e shitjes së artikujve kryesorë ushqimorë në tregjet e vendit reflektuan stabilitet dhe qëndrueshmëri. Sipas informacionit të kësaj drejtorie, çmimet e drithërave gjatë këtij muaji shënuan për grurin dhe misrin përkatësisht 42.2 lekë/kg e 30 lekë/kg, ndërkohë që prodhimet kryesore të stinës, reflektuan një rritje të përgjithshme të çmimit të shitjes në vlerën e 1,8 për qind. Produktet blegtorale, përgjithësisht u karakterizuan me ndryshime të papërfillshme të çmimeve. Kështu, çmimi i qumështit të lopës u ul 1 për qind, qumështi i deles 1.2 për qind, çmimi i djathit të bardhë u ul 0,4 për qind dhe djathi kaçkavall 1 për qind. Gjatë muajit shtator për nënproduktet e mishit dhe kategoritë e ndryshme të mishit, çmimet e shitjes nuk ndryshuan, ndërkohë që në të njëjtat nivele, kundrejt një muaji më parë, qëndrojnë çmimet e artikujve të tjerë ushqimorë, si vaj, sheqer etj.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›