Maratona e privatizimeve, firmosen kontratat për dy parqe industriale
Nënshkruhen kontratat për ndërtimin e dy parqeve industriale në Vlorë dhe Shëngjin. Kryeministri Berisha ka firmosur dje kontratat për ndërtimin e dy parqeve industriale, si dhe premtoi ndërtimin e parqeve të tjera në vend. Parku industrial i Vlorës do të merret përsipër nga kompania vendase “Idea-Vlora”, ndërsa ai i Shëngjinit do të realizohet nga firma gjermane “ATX”. Bëhet fjalë për një investim 38 milionë euro, që do të mundësojë krijimin e 21 mijë vendeve të reja pune. Deri në fund të vitit do të nënshkruhet kontrata edhe për parkun industrial të Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe. Kreu i qeverisë Berisha, u shpreh se do të zhvillohet si zonë industriale edhe lugina Tiranë-Durrës. Nëpërmjet projektit të kompanisë “Makinzi”. Kryeministri Berisha tha gjithashtu se do të ndihmojë investitorët nëpërmjet krijimit të infrastrukturës së nevojshme dhe miratimit të ligjeve që duhen. Ai shtoi gjithashtu se do të miratohen kontratat dhe për 3 parqe të tjera industriale në Shkodër, Elbasan dhe Spitallë të Durrësit. Ndërkohë ministri i Ekonomisë, Genc Ruli tha se, "pas dy javësh, do të hapet gara për përzgjedhjen e zhvilluesit të Parkut Industrial të Spitallës, me sipërfaqe 850 ha". Ngritja e zonës së lirë industriale në Spitallë, favorizon investimet e huaja edhe nga afërsia që ka me Portin detar të Durrësit, aeroportin "Nënë Tereza", si dhe prania e rrugës Durrës-Prishtinë, që lidh Shqipërinë me Korridorin e Veriut të Europës. Në kufi të Parkut Industrial, do të ngrihet dhe një park Energjetik me sipërfaqe afërsisht 870 ha, që do të përmbajë rafineri, fabrikë të prodhimit të biokarburateve, depozita të gazit dhe naftës, si dhe Termocentral.
30 Shtator 2008