Parkingjet nëntokësore, debate në Këshillin Bashkiak, LSI-ja braktis sallën
Çështja e parkingjeve nëntokësore ka nxitur debate të ashpra mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak, ku përfaqësuesit e LSI-së braktisën sallën me pretekstin se nuk janë njohur me relacionin e plotë. Sipas tyre, arsyeja kryesore ka qenë mospërgatitja e detajuar me të gjitha të dhënat për parkingjet nga ana e Bashkisë, pasi relacioni nuk përmban të gjitha të dhënat e formës së dhënies me koncesionin të parkingjeve nëntokësore. Ata kanë kundërshtuar mënyrën “BOT” që është propozuar nga Bashkia, duke kërkuar të njihen edhe me 5 format e tjera ligjore të formës së koncesionit. Njëkohësisht është kërkuar që të merret edhe mendimi i qytetarëve lidhur me këtë çështje. Debatet janë bërë mes kryetarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj dhe nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ku ky i fundit i ka kërkuar kthimin në sallë përfaqësuesve, ndërsa Dervishaj e ka akuzuar Bashkinë se do ta kalojë çështjen në heshtje, pa u njohur me situatën konkrete dhe mënyrën e dhënies me koncesion. Bashkia e Tiranës ka bërë propozimin e saj për një nga mënyrat koncesionare që parashikohen në ligj. Kështu, forma e dhënies me koncesion, e propozuar nga Bashkia e Tiranës, është forma “BOT” (Build, Operation, Transformation, që do të thotë ndërtim, shfrytëzim, transferim). Sipas procedurave të parashikuara në ligj, transferimi nënkupton që pas shfrytëzimit për një periudhë kohore të caktuar, firmat do të duhet t’ia dorëzojnë Bashkisë së Tiranës administrimin e parkingjeve nëntokësore. Forma e dhënies me koncesion është një nga pikat më të debatuara, pasi nuk dihet ende nëse parkingjet do të kenë pronësinë e përhershme të kompanive, apo do të kenë një leje shfrytëzimi në bazë të kontratës disavjeçare. Një nga mënyrat e dhënies me koncesion të parashikuara në ligj, është që kompanitë mund ta shfrytëzojnë biznesin për parkimet nëntokësore deri në 35 vjet dhe më pas të kalojë në pronësinë e Bashkisë së Tiranës. Flitet për ndërtimin e parkingjeve më të mëdha në vend në zonën e parkut “Rinia” dhe sheshit “Italia”.
Gjashtë format e koncesionit
BOT (ndërtim, shfrytëzim, transferim)
BOOT (ndërtim, pronësi, shfrytëzim, transferim)
BOO (ndërtim, pronësi, shfrytëzim)
ROT (rehabilitim, shfrytëzim, transferim)
BTO (ndërtim, transferim, shfrytëzim)
BLT (ndërtim, qira, transferim)
30 Shtator 2008