E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet Rruga e Barrikadave me një korsi të veçantë për biçikletat



Rrugët kryesore të kryeqytetit po ndryshojnë fytyrën e tyre, duke iu nënshtruar një rikonstruksioni të plotë. Me një fond prej 60 milionë lekësh, nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e rrugës së Barrikadave. Kjo rrugë është pjesë e segmentit të Unazës së vogël. E veçanta e këtij aksi rrugor është realizimi i korsisë preferenciale për kalimin e biçikletave, si pjesë r projekteve për qarkullimin, që shërben për kufizimin e trafikut për makinat dhe hapjen e tij për transportin publik. Gjatë përurimit të kësaj rruge të re, të pajisur me korsinë preferenciale për kalimin e biçikletave, mori pjesë Kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Sipas tij, ndërhyrja në këtë aks rrugor ishte e domosdoshme pasi shtresat rrugore ishin tepër të amortizuara dhe me gropëzime të thella. Rruga u rikonstruktua në gjithë gjatësinë e saj prej 650 metrash linearë, ndërsa u zgjerua nga 9 në 15 metra, përfshirë zgjerimin dhe sistemimin e trotuareve. Në këtë mënyrë, shtohen rrugët me korsi të veçanta për qytetarët që dëshirojnë të ecin me biçikleta dhe pa u rrezikuar nga automjetet që ecin me shpejtësi.

Përfundon rikonstruksioni i Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë

Përfundon rikonstruksioni i Shtëpisë së të Moshuarve në kryeqytet. Falë këtij rikonstruksioni, 30 të moshuarit që trajtohen në këtë qendër rezidenciale do të përfitojnë një shërbim më cilësor. Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë është institucioni më i hershëm i përkujdesit social në vendin tone, me një përvojë 40-vjeçare. Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë, Resul Domi shprehet: “Rikonstruksioni i plotë i këtij institucioni është kryer në përputhje me standardet bashkëkohore, falë zbatimit të një projekti të Bankës Botërore që ka kushtuar rreth 200 milion lekë”. Suli sqaron se rreth 130 milion lekë janë shpenzuar vetëm për rikonstruksionin e ambienteve të institucionit, ndërsa rreth 70 milion lekë të tjera do të përdoren për blerje të pajisjeve. Aktualisht, në ambientet e kësaj qendre u ofrohet shërbim social rreth 30 të moshuarve. Banorët në këtë shtëpi përfitojë me iniciativën e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) edhe shërbimin e mjekut të familjes, 3 herë në javë nga 2 orë në ditë për nevojat e të moshuarve në azil. Institucioni ofron shërbim rezidencial, shërbim mbështetës për shëndetin, mbështetje psiko-emocionale dhe arritja e objektivit për integrimin e tyre në jetën shoqërore realizohet nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme social-kulturore.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›