OSSH-ja privatizohet, çekët blejnë për 102 milionë euro energjinë shqiptare
Ervin Koçi
Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes duket se ka përfunduar që para se të niste, kjo falë një ngutjeje të madhe të Ministrisë së Ekonomisë për t’i hapur sa më parë ofertat e dy kompanive konkurrente në garë. Pas kësaj duket se çekët e kompanisë “CEZ s.a.” do të jenë dhe pronarët e rinj të OSSH-së, pas çmimit të ofruar prej 102 milionë eurosh. Komisioni i vlerësimit të ofertave në Ministrinë e Ekonomisë, pasi shqyrtoi që dje dokumentacionin e paraqitur nga pjesëmarrësit në tenderin për privatizimin e OSSH-së, mori dhe vendimin shumë të përfolur. Në garë për 76 për qind të aksioneve të OSSH-së hynë 2 shoqëri ofertuese dhe konkretisht, shoqëria italiane “ENEL s.p.a” dhe shoqëria çeke “CEZ a.s.”. Dy kompani austriake që shfaqën interes, fillimisht nuk e vijuan garën. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga të dyja shoqëritë e sipërpërmendura rezultoi se “oferta teknike e shoqërisë italiane ‘ENEL’ nuk ishte në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit”.
Pse nuk fitoi “ENEL”
Me konkretisht, mangësitë e evidentuara në dokumentacionin e kompanisë “ENEL” kishin të bënin me mungesën e “Planit të biznesit”, i kërkuar në pikën VIII të paragrafit 3.1.1 të seksionit 3.1 Përgatitja e Ofertave, të “Udhëzimeve për Ofertuesit”. Po ashtu, teksti i formës së aplikimit në tender nuk i përmbahej Aneksit 15 të “Udhëzimeve për Ofertuesit”. Gjithashtu, mungoi drafti i Marrëveshjes për Blerjen e Aksioneve me komentet e kufizuara. Sipas “KVO”-së, forma e konfirmimit të kushteve minimale të detyrueshme të performancës teknike, dorëzuar nga shoqëria italiane “ENEL”, nuk ishte në përputhje me Aneksin 17 të Udhëzimeve për Ofertuesit. Kurse dokumentacioni i paraqitur nga kompania çeke “CEZ a.s.” ishte në përputhje të plotë me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Për sa më sipër, “KVO” vendosi që oferta teknike e paraqitur nga kompania italiane “ENEL”, “nuk e kalon vlerësimin teknik, pasi nuk respekton kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike”. Kurse oferta teknike e paraqitur nga kompania çeke “CEZ” kaloi vlerësimin teknik dhe kjo kompani do të vazhdojë procedurat e tenderit me hapjen e ofertës financiare të “CEZ s.a.”.
Procesi i privatizimit
Dje, në orën 19:00 të mbrëmjes, në prani të përfaqësuesve të kompanive dhe medias, u bë hapja e ofertës financiare të kompanisë çeke “CEZ s.a”, që ka ofruar 102 milionë euro. Komisioni i vlerësimit të ofertave do të bëjë vlerësimin e saj dhe më pas do t’i propozojë qeverisë shqiptare shpalljen e fituesit. Komisioni i vlerësimit të ofertave ishte i përbërë nga: Neritan Alibali, kryetar, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes; Sherefedin Shehu, anëtar Ministria e Financave; Asllan Sherra, anëtar Ministria e Financave; Viktor Gumi, anëtar Ministria e Drejtësisë; Miran Kopani, anëtar Ministria e Drejtësisë; Mimoza Vokshi, anëtare Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes; Engjëll Qorlaze, anëtar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes; Fatjon Tugu, anëtar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes; Zamir Stefani, anëtar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes. Me blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, pjesa e mbetur në pronësi të shtetit prej 24 përqindësh, nuk do të luajë asnjë rol në menaxhimin e kompanisë, por çmimet e saj do të vijojnë të jenë të përcaktuara nga ERE. Ndërsa të ardhurat e saj (OSSH-së) bruto nga tarifat e shpërndarjes do të jenë minimalisht 80 milionë euro. Kushti që qeveria shqiptare vendosi për uljen e humbjeve në rrjet në 32 për qind deri në fund të këtij viti (2008) dhe në 15 për qind deri në fund të vitit 2014, pra në total me 47 për qind të zvogëlimit të humbjeve, do të jetë dhe ai më kryesore për kompaninë fituese.
30 Shtator 2008