Guvernatori Fullani ka shkelur ligjin për pagesën e Credins për ARMO-n
Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Ardian Fullani, mund të bëhen përgjegjës ligjorë që kanë lejuar bankën e nivelit të dytë Credins të bëjë një pagesë prej 77 milionë eurosh për llogari të kompanisë që bleu ARMO-n, drejtuar nga Rezart Taçi, pasi ka thyer rregulloren e saj. Sipas legjislacionit bankar të Shqipërisë, një bankë e nivelit të dytë nuk mund të bëjë transferta që tejkalojnë dhjetë përqindëshin e kapitalit të saj themelor.
Një zyrtar i lartë i Bankës së Shqipërisë i tha në konfidencialitet gazetës “TemA” se alarmi për këtë pagesë është vënë me kohë në mjediset e bankës, por guvernatori ka marrë mbështetje politike nga kryeministri dhe është inkurajuar të mbështesë këtë transaksion. Zyrtari i lartë, i cili na siguroi dhe kopjen e dokumentit bankar që po botojmë sot, thotë se alarmi tashmë ka përfshirë Bankën Qendrore, por është shumë vonë. Sipas tij, drejtuesit e bankës Credins nuk po arrijnë të mbajnë premtimet e dhëna për mbushjen e bilancit të kompanisë fantazmë dhe tashmë po merren me mbledhje të detyrimeve të klientëve që kanë punë me administratorin Taçi. Praktikisht, Banka Credins, sipas tij, merret vetë me likuidimin e pagesave që bëhen për çdo ton naftë të blerë prej ARMO-s, me shpresë që të plotësojë shumën 77 milionë euro që ka paguar për llogari të kësaj kompanie, pa i patur këto pará gjendje.
Shkelja ka qenë flagrante, pasi Banka Credins nuk ka deklaruar as kredi dhe as hua për konsorciumin që ka blerë ARMO-n, por thjesht ka bërë manovra formale dhe ka bërë pagesa në emër të tyre duke shpresuar sipas plan-biznesit që me monopolet që i dha qeveria blerësit e rinj të ARMO-s t’ia kthenin lekët.
Alarmi ndërkohë ka përfshirë dhe vetë drejtuesit e Credins. Gazeta “TemA” u përpoq dje të kontaktonte me ta, por ishte e pamundur.
Drejtori i saj i Përgjithshëm, Artan Santo, kishte fikur telefonin, ndërsa zyrtarët e tjerë, sapo dëgjonin emrin e gazetës, fiknin telefonin.
Skandali po merr përmasa të mëdha dhe mund të çojë në ndjekjen penale të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është parë kohët e fundit nën shoqërinë e pronarit të grupit “Klan”, i afërt me kryeministrin Berisha në përpjekje për të mbyllur skandalin.
Dokumenti që po botojmë sot dëshmon se guvernatori, Adrian Fullani, është përgjegjës që ka lejuar një transfertë të tillë pa bërë më parë kontrollin e llogarisë bankare të konsorciumit që bleu ARMO-n, nëse ai i kishte depozituar në bankën Credins 77 milionë euro në momentin e pagesës dhe nga kishin ardhur ato euro për një konsorcium të ri, të krijuar katër muaj më parë.
Historia e pagesës ka ngjallur alarm dhe te shërbimet që hetojnë pastrimin e pareve në Shqipëri për mundësinë e depërtimit në procesin e privatizimit të qarqeve mafioze ruse, me të cilat është i lidhur administratori i kësaj kompanie, por më shqetësuese mbetet mundësia e krizës bankare dhe skandalit në Bankën Qendrore, e cila ka lejuar këtë transaksion tërësisht fals dhe të pambuluar nga urdhëruesit e pagesës.