E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, pret kuponat për studentët



Studentët që vijojnë studimet e larta në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës, do të pajisen falas me kartë identiteti nga vetë universiteti. Lajmi i mirë për studentët, bëhet i ditur nga vetë rektori i Universitetit të Tiranës (UT), Dhori Kule. “Kam ngarkuar kancelarin e Universitetit të Tiranës, i cili do t’i blejë të gjitha kuponat që na duhen me buxhetin që ka universiteti. Gjatë javës tjetër kuponat, do tu shpërndahen të gjithë studentëve”, - deklaroi rektori i UT-së. Ditën e sotme pritet që Universiteti i Tiranës të ketë gati statistikën se sa kupona i duhen këtij universiteti. Sipas Kules, studentët pa pasaportë duhet të pajisen me karta identiteti deri në datën 1 maj, por për ata që nuk aplikojnë në kohë, nuk duhet të merren masa penalizuese. Po sipas kreut të UT-së, është e drejta e vetë universiteteve, e senateve të tyre, të vedosin nëse, studentët që nuk kanë aplikuar do të futen në provime apo jo.

Karta e studentit, MASH-i: Brenda muajit udhëzimi

Brenda këtij muaji, Ministria e Arsimit, do të publikojë udhëzimin e veçantë për universitetet për pajisjen me Kartën e Studentit. Karta është një dokument përmes të cilit studentët e arsimit publik dhe jopublik do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. Sipas MASH-it, përfitimet e studentëve nga përdorimi i Kartës së Studentit do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për këtë Ministri. Karta e Studentit lëshohet për një periudhë 1-vjeçare, kundrejt një pagese. Dokumenti i Kartës së Studentit do të jetë i formatit ID1, i pajisur me elemente të sigurisë dhe do të përmbajë: emrin, mbiemrin e studentit; datëlindjen; universiteti, dega, viti; numri i serisë së Kartës së Studentit; data e lëshimit të Kartës së Studentit; periudha e vlefshmërisë.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›