E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Infermierit, infermierët me arsim të mesëm rrezikojnë vendet



Infermierët që kanë vetëm arsimin e mesëm rrezikojnë të humbasin vendet e punës, krahasuar me ata që kanë arsimin e lartë. Kjo, pasi një infermier me shkollë të mesme nuk mund të jetë në një pozicion pune më lartë sesa ata që kanë ndjekur studime e arsimit të lartë. Infermierët me shkollë të mesme do të zbresin në një kategori profesionale më poshtë se ata me arsim të lartë, duke u kthyer në ndihmës infermierë. Urdhri i Infermierëve deklaroi se kjo kategori infermierësh nuk u nënshtrohen procedurave për të ndjekur trajnime apo kurse të ndryshme kualifikimi. Në sistemin e shëndetësisë në të gjithë vendin janë punësuar rreth 12 mijë infermierë. Ndërsa vetëm 30 për qind prej tyre janë me arsim të lartë. Pjesa tjetër i përkasin arsimit të mesëm, që kanë ndjekur në shkollat profesionale. Që nga 1 janari 2009, infermierët, para se të fillojnë punë, paraqesin një dosje pranë UISH dhe marrin leje për ushtrimin e profesionit, në bazë të ligjit përkatës. Ligji ekzistues për këtë qëllim, ai për infermierinë dhe krijimin e këtij urdhri, është pjesë e reformave, pasi ligji ngarkon UISH-në dhe Këshillin Kombëtar të tij për hartimin e Kodit Etik, i cili është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjithë profesionistët infermierë. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka bërë të ditur për komunitetin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor (infermierët, mamitë, fizioterapistët etj), se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë organizon Muajin e Infermierit. Gjatë këtij muaji, në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, në të gjitha spitalet dhe në të gjitha drejtoritë e Shëndetit Publik, do të organizohen seminare, trajnime dhe konferenca rajonale, ku do të diskutohet mbi arritjet dhe sfidat që i përkasin kujdesit shëndetësor në vend.

Mënyrat e transmetimit të sëmundjeve ngjitëse

Shumica e njerëzve vuajnë nga sëmundjet infektive, të marra në rrugë të ndryshme. Një pjesë e tyre i çon deri në vdekje. Specialistët sqarojnë se sëmundjet infektive përbëjnë një nga sëmundjet më të rrezikshme për jetën e njerëzve. Specifika e tyre është se ato transmetohen nga një person apo specie tek një person apo specie tjetër. Sipas tij rrugët apo mënyrat e transmetimit janë nëpërmjet ajrit, ushqimit, ujit, shiringave, apo në mënyrë vertikale nga nëna tek fëmija etj. Mjekët shpjegojnë se mënyra më e mirë e parandalimit të sëmundjeve infektive është vaksinimi i hershëm i të gjithë personave. Me anë të vaksinave përkatëse do të mund të shmangen një pjesë e madhe e përhapjes së këtyre sëmundjeve. Sëmundjet infektive transmetohen në mënyra dhe mekanizma të ndryshëm. Një pjesë e tyre transmetohen përmes rrugës aerogene (ajrit), përmes spërklave të pështymës së infektuar. Me këtë rrugë transmetohen sëmundje të tilla si gripi, infeksionet e mushkërive, tuberkulozi, shkaktarë që japin meningjitin etj. Një pjesë e sëmundjeve infektive të aparatit tretës apo siç quhen sëmundje gastrointestinale transmetohen përmes konsumimit te ushqimit apo ujit të infektuar. Këtu mund të përmendim sëmundje si dizenteria, helmimi ushqimor, salmoneloza, infeksionet nga parazitet apo krimbat e zorrës. Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë ato sëmundje që shkaktohen nga kontakti me lëngjet seksuale të trupit zakonisht si rezultat i kontaktit intim seksual. Në këto infeksione përfshihen infeksioni HIV/AIDS, sifilizi, klamidia, gonorrea, hepatiti, herpesi, papiloma virusi etj.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›