E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Gjyqësori me buxhet të cunguar



Fatos Mahmutaj

Gjyqësori shqiptar gjatë 2009 është përballur me probleme të mprehta që kanë të bëjnë me reformimin e tij, ndërkohë që ka vuajtur edhe nga fenomenet tashmë të vjetra dhe shqetësuese dhe nga shkurtimi drastik në buxhet. Problematika e një viti pune në gjyqësor, u analizua paraditen e djeshme gjatë një takimi, tashmë të bërë traditë për çdo vit, që KLD organizon me krerët e gjykatave në vend. Të pranishëm në aktivitet ndodhej kreu i avokatëve shqiptarë, Maks Haxhia, si dhe përfaqësues të organizmave të huaja që veprojnë në vend në fushën e drejtësisë. Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu gjatë fjalës së tij, në hapje të aktivitetit solli në vëmendje problematikën e gjykatave shqiptare, që kanë të bëjnë me përballimin e nevojave të përditshme të furnizimit me letër dhe bojë printer, apo dhe gjeneratori, i cili duhet të furnizojë institucionet në mungesë të energjisë elektrike. Spahiu pohoi se nga evidencat e këtij viti, buxheti i gjykatave ka ardhur në ulje krahasuar me një vit më parë. “Ulja nuk është simbolike. Shifrat flasin për zvogëlim të buxhetit: 50% në Gjykatën e Lushnjës; 30% në Gjykatën e Fierit; 25 %, në Gjykatën e Pogradecit; si dhe 40% në Gjykatën e Pukës. Të gjithë këto shembuj të diversitetit gjeografik të gjykatave tona, tregojnë se të gjitha janë të prekura nga ulja në investime”, tha Spahiu. Duke argumentuar problematikën, ai tha se kjo është një çështje që reflektohet direkt në detyrën e gjyqtarit në krijimin e komoditeteve të tij për të përmbushur detyrën jo të lehtë, si dhe në rritjen e autoritetit te komuniteti, i cili ndikohet ndjeshëm nga vizibiliteti i drejtësisë. Gjatë fjalës së vet, Spahiu pohoi se për sa i përket politikës penale nëpër gjykatat shqiptare është vënë re se aplikohen standarde të dyfishta ndaj rasteve analoge. “Ka ankesa të shumë Gjykatave të Faktit për vendimet e Apeleve respektive (Vlorë, Shkodër, Durrës) që u cënojnë cilësinë e gjykimit, pasi njëherë vendosin në një mënyrë të caktuar dhe pastaj për situata identike ndryshojnë mendje”, tha Spahiu, duke konstatuar se masat e sigurimit, vlerësohen më të rënda në Fakt sesa në Apel, ku situata e të arrestuarit zbutet pasi ka kaluar ca kohë nga buja e çështjes; politika e dënimit penal është më e rëndë, dhe pse jo edhe maksimale, kur i dënuari është gjykuar në mungesë; si dhe në shumicën dërrmuese të vendimeve penale të apeluara, pjesa që ka të bëjë me masën e dënimit është e riprekshme. “Njerëzit këtë e konceptojnë se: të ankohesh ndaj vendimit, do të thotë të kesh mundësi të dënohesh më pak”, pohoi nënkryetari i KLD. Më tej sipas tij: “Gjatë 2009, cilësia e gjykimit në Fakte ka pasur tregues përgjithësisht të mirë, por na duhet të pranojmë se ky konkluzion ka dalë thjesht nga një referim në shifra, dhe shoqërohet me doza të vogla të objektivitetit. E them këtë sepse disa Apele janë shprehur vetëm për një pjesë të vendimeve të ankimuara, dhe konkretisht Apeli Vlorë, në të cilin kemi mundur të njohim fatin vetëm për një pjesë të vogël të vendimeve të ankimuara, kështu që cilësinë e diskutojmë në proporcion me pjesën e gjykuar të çështjeve”, përfundoi Spahiu. fa.ma.

Kufizimi në buxhet

Gjykata e Lushnjës -50%
Gjykata e Fierit -30%
Gjykata e Pogradecit –25%
Gjykata e Pukës -40%

Problematika 2009
Mungesë në furnizimin me kancelari të gjykatave
Politika penale
Apelet aplikojnë standarde të dyfishta
Faktet japin masa sigurimi më të rënda
Dënimet janë më të rënda për të gjykuarit në mungesë
Shumica e dënimeve të apeluara janë të riprekshme

Anëtarët e KLD-së, mungoi Shpresa Beçaj
Anëtari KLD-së Hysni Demiraj pohoi gjatë takimit të djeshëm se gjyqësori shqiptar ka shumë probleme që e shqetësojnë, nga të cilat është edhe ndërhyrja nga jashtë në të. Ndërkohë anëtari tjetër i KLD-së, Neshat Fana, gjatë fjalës së vet pohoi se Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, prej shumë kohësh nuk ushtron një nga detyrat e saj Kushtetuese që është pjesëmarrja në mbledhjet e KLD-së, si dhe mungesa e saj në takimin e djeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›