Pretenca, 66 vjet burg trafikantëve të 486 kg drogë
TIRANE - Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje dënimin me 66 vjet e 8 muaj burg në total për pesë persona të akuzuar për trafikimin e 486 kilogramëve heroinë, drejt Italisë. Sipas organit të akuzës, të pandehurit Alket Hatia, Hekuran Hoxha, Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu e Saimir Gjepali duhet të deklarohen fajtorë për trafik lëndësh narkotike nga Shqipëria në Itali në periudhën mes viteve 2003-2004. Referuar pretencës së lexuar dje nga prokurori i çështjes, rezultonte e provuar përfshirja e të pandehurve në 18 episode të trafikut të drogës drejt vendit fqinj. Në përfundim, nga pala e akuzës u kërkua dënimi me 15 vjet e 4 muaj burg për Alket Hatian; 14 vjet heqje lirie për Hekuran Hoxhën; nga 12 vjet e 8 muaj burg për Fatbardh Hoxhën e Mentor Shehun dhe 12 vjet burg për Sajmir Gjepalin. Ata akuzohen për “trafik narkotikësh”, “organizim dhe drejtim të organizatës kriminale” dhe “mbajtje pa leje armësh e municione luftarake”. Për shkak se shqyrtimi i dosjes në ngarkim të tyre u zhvillua me kohë të shkurtuar, të gjithë të pandehurit në masën e dënimit përfundimtar përfituan uljen e një të tretës së dënimit. Të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan nga Krimet e Rënda në shtator të vitit 2008 nga operacioni policor “Pastrimi”. Sipas organit të akuzës, pesë të pandehurit e kësaj dosjeje në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar 486 kilogramë lëndë narkotike heroinë nga Shqipëria drejt Italisë. Po sipas akuzës, trafiku është zhvilluar në 2003-2004, ndërsa baza e tyre ishte në Shijak. Të pandehurit në proces dyshohet se ishin organizatorët e trafikut, ndërsa lënda narkotike dërgohej me anë të korrierëve në Itali. Në të 18 episodet, e provuara sipas Prokurorisë, korrierët janë prangosur nga autoritetet italianë. Sasia më e madhe e sekuestruar në një aksion të vetëm ka qenë ajo e 6 marsit 2004. “Më 6 mars 2004, policia italiane kap ngarkesën 70 kile heroinë, e cila trafikohej nga korrieri Andrzej Levandovski, i ‘pajtuar’ nga Hekuran Hoxha”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë. ar.ba