Mirel Josa: Butrinti nuk është asgjë para Teutës
Trajneri i Vllaznisë e cilëson ndeshjen e fundjavës në kampionat krejt tjetër, ku vështirësia dhe rëndësia janë më të mëdha
Ka fituar në Sarandë dhe ka hedhur një hap të sigurt për kalimin në turin tjetër të kupës, por Vllaznia nuk e ka shumë mendjen te ky sukses. Mendja e të gjithë pjesëtarëve të saj është e përqendruar te ndeshja e së dielës me Teutën, që do të luhet në Loro Boriçi. E thotë këtë edhe trajneri Josa, që duke folur për gazetën, është shprehur:
Ndeshja në Sarandë kuptohet që nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Ashtu si ne, edhe vendësit aktivizuan në këtë ndeshje jo lojtarët më të mirë dhe, për rrjedhojë, thjesht ishte një ndeshje që duhej zhvilluar dhe për të parë nivelin e disa lojtarëve që ndoshta nuk kanë luajtur aq sa duhet në kampionat. Duhej të fitonim dhe nuk mendoj se është ndonjë problem kalimi i këtij turi, sepse në fakt Vllaznia ka objektivat e saj edhe në kompeticion.
Petroviç-Muça Por natyrshëm, ballafaqimi në Sarandë nuk i ka shërbyer aspak ndeshjes së radhës në kampionat me Teutën. Thjesht kjo ndeshje kupe i ka vlejtur Josës për të parë edhe një herë tjetër nivelin e Petroviç dhe Muçës, dy lojtarëve të ardhur së fundi në skuadër. Ata kanë nevojë të luajnë sa më shumë dhe, për rrjedhojë, janë marrë në Sarandë.
Trajneri i kuqebluve megjithatë e di që ndaj Teutës është tjetër histori, prandaj shton: Do jetë gjë krejt tjetër, për preokupimin në fushë, për angazhimin dhe çdo gjë tjetër. Nuk mund të shërbejë Butrinti si barometër për ndeshjen me durrsakët. Kjo e së dielës është shumë e vështirë, ndaj një kundërshtari që e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin, prandaj duhet ta marrim shumë seriozisht këtë ndeshje.
Të rinjtë Por ndërkohë, duke iu rikthyer ndeshjes në Sarandë, Josa ka dashur të ndalet edhe pak tek elementi i ri. Ato lojtarë që ai i aktivizoi ndaj Butrintit, por që treguan se edhe ndaj një kundërshtari të tillë shumë modest, nuk arritën të bënin diferencën. Prandaj dhe shprehet kështu në lidhje me ta:
Ishte një mundësi për këta të rinjtë. Sezonin e kaluar pati një moment kur tifozët kërkonin që ekipi të mbushej i gjithi me lojtarë të rinj. Por kështu nuk mund të bëhet. Edhe në ndeshjen me Butrintin ata vetë e panë që u duhet ende punë për të kapur ekipin e parë. Ata duhet të djersijnë shumë për këtë gjë, sepse përgjegjësia e tyre vjen duke u rritur.
Teuta Megjithatë, më shumë se tek elementi i ri, mendja e drejtuesve të Vllaznisë është e përqendruar te ndeshja me Teutën ditën e diel. Një sfidë shumë delikate dhe nëse nuk arrihet fitorja, qetësia në kampin shkodran mund të humbet. Nëse humbja në Kamëz u kalua në heshtje, një tjetër dështim me siguri nuk do tu falet kuqebluve. Por për momentin askush në kampin shkodran nuk mendon rezultat tjetër, përveç fitores në ndeshjen e radhës, pikërisht ndaj kryesuesve të kampionatit.
Sinani, i gatshëm për ndeshjen e radhës
Në dy javët e para të kampionatit është lënë pushim nga ana e trajnerit Josa. Kapiteni Vioresin Sinani tashmë rikthehet për ti shërbyer Vllaznisë dhe nga ndeshja e radhës me Teutën do të jetë në pankinë. Themi në pankinë, sepse me shumë siguri trajneri Josa nuk ka ndër mend të ndryshojë dyshen e sulmit të përbërë nga Sukaj dhe Vajushi.
Kapiteni do jetë i gatshëm për çdo rast që të hyjë nga pankina dhe të japë kontributin e tij për skuadrën. E rëndësishme është që ai tashmë është i gatshëm për të luajtur, pasi ka mbaruar një periudhë dyjavore stërvitje të veçuar nga ekipi për të kapur formën e duhur, ngaqë e ka filluar më vonë stërvitjen se futbollistët e tjerë.
Harrohet analiza e Kamzës, mendja te Teuta
Ishte menduar që të zhvillohej ditën e djeshme analiza e ndeshjes së javës së kaluar me Kamzën, por ajo nuk është bërë. Nuk dihet arsyeja pse ka ndodhur kështu, por realiteti ky është. Ekipi që ka udhëtuar drejt Sarandës ka mbërritur vetëm mëngjesin e djeshëm në Shkodër, ndërkohë që ekipi ka pasur stërvitje në orën 16:30.
Të ndodhur para një situate të tillë, drejtuesit e klubit që kishin menduar ta zhvillonin analizën, duke parë edhe dvd-të e ndeshjeve të para të kampionatit, e kanë shtyrë atë. Ndoshta mund të zhvillohet nesër, ngaqë ndeshja e radhës është shtyrë për të dielën.
