E Diel, 1 Nëntor 2026

Gyl premton rritjen e investimeve turke në Shqipëri

Takimi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili po viziton Turqinë për të marrë pjesë në dy samitet e Stambollit, u prit dje pasdite nga Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl. Presidenti Topi falënderoi homologun turk për pritjen e ngrohtë e vëllazërore dhe për mbështetjen e pakursyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha dhe vlerësoi lart dialogun politik tradicional mes dy vendeve tona mike. Ai vuri në dukje se vizitat e vazhdueshme në të gjitha nivelet tregojnë më së miri klimën e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, marrëdhënie që shkojnë përherë e më tepër drejt forcimit të mëtejshëm në interes të popujve tanë. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në të gjitha fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të plotë si anëtar i NATO-s, por edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura, duke shprehur edhe bindjen në vazhdimësinë e mëtejshme të kësaj mbështetjeje. Pasi vuri në dukje disa prej zhvillimeve pozitive në vend, në kuadër të rritjes së stabilitetit ekonomik, Presidenti i Republikës shprehu besimin në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona, duke nënvizuar nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare, si dhe për intensifikimin e investimeve të kompanive prestigjioze turke në sektorë kyçë, si energjia e telekomunikacioni. Nga ana e tij, Presidenti turk, Abdullah Gyl, duke e vlerësuar këtë takim si të rëndësishëm, theksoi se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha fushat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›