Korrupsioni me uniformat, përgjimet fundosën zyrtarët
Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, në bashkëpunim me biznesmenë të ndryshëm, bashkëpunonin me njëri-tjetrin për “prokurimet” e uniformave të ushtrisë, policisë, gardës, burgjeve, doganave dhe marinës, duke i sjellë shtetit shqiptar qindra milionë lekë humbje. Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzën e “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” shtatë persona, me në krye Bujar Muratin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve pranë Ministrisë së Brendshme. Dosja është dërguar në gjykatë, ndërsa provat më të forta të akuzës janë përgjimet dhe vëzhgimet. Sipas kërkesës për gjykim, në datën 3 gusht 2009, në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) është publikuar për njoftim procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elemente të tjera përbërës të tyre”, me fond limit 175.034.194 lekë. Kjo procedurë prokurimi është ndarë në 14 lote sipas llojeve të uniformave dhe veshmbathjeve që u nevojiteshin institucioneve të ndryshme shtetërore. Pas shpalljes, të pandehurit Ilir Sulo, Artan Berberi, Jani Gjergjefi dhe Festim Bashllari janë takuar dhe, me marrëveshje midis tyre, kanë paracaktuar lotet në të cilat ata do konkurronin dhe do dilnin fitues në përfundim të procedurës. Sipas akuzës, ata kanë rënë dakord me njëri–tjetrin që, për të garantuar realizimin e kësaj marrëveshjeje, të jepnin një shumë prej 5% të vlerës limit të loteve përkatëse, ndërsa Ilir Sulo do jepte shumën e ngelur prej 5% për shkak se ai do fitonte edhe lotin me vlerën më të madhe nga të gjitha shoqëritë e tjera. Këto shuma parash ata do t’ia jepnin të pandehurit Bujar Muratit me qëllim realizimin e marrëveshjes në fjalë dhe i pandehuri Ilir Sulo ka marrë përsipër që të kontaktojë ai me të pandehurin Bujar Murati për këtë qëllim. Akuza thotë se në datën 01.09.2009, nga ana e anëtarëve të Njësisë së Prokurimit është mbajtur një procesverbal në të cilin, për shkak të një defekti që kishte ndodhur në serverin e Agjencisë së Prokurimit Publik, është vendosur të shtyhet hapja e ofertave të operatorëve ekonomikë. Prokuroria thotë se i pandehuri Ilir Sulo ka bërë biseda të ndryshme telefonike me pjesëmarrësit e shoqërive të tjera me të cilët ishte bërë marrëveshja për këtë çështje. Rezulton se në datën 14.09.2009, Sulo është telefonuar nga i pandehuri Festim Bashllari i cili i thotë se po ikën për në Kosovë dhe se, në qoftë se duhen para, t’i vejë Iliri se do ia kthejë ai kur të kthehet. Në datën 14.09.2009, Sulo është telefonuar nga i pandehuri Artan Berberi i cili i thotë se është gati për porosinë siç kishin rënë dakord dhe se kur të duhej Iliri t’i thoshte për t’i dhënë paratë. Në datën 15.09.2009, Sulo është telefonuar nga një shtetas i cili i thotë se kursi i blerjes së dollarit është ulur shumë dhe se mos Iliri kishte nevojë për dollarë. Iliri i thotë se ai është duke pritur nga momenti në moment t’i kërkojë paratë “ai” dhe se nuk e di nëse ai do ia kërkojë në lekë, në euro apo në dollarë. Sipas akuzës, Sulo ka marrë në telefon të pandehurin Bujar Murati dhe i ka thënë se ishte në Tiranë. Bujari i përgjigjet se do takohen më vonë rreth orës 4–5 pasdite. Në këtë orë, Sulo ka komunikuar në telefon me shtetasin Bujar Murati dhe ata e kanë lënë për t’u takuar. Sipas vëzhgimeve të policisë, Sulo mbante me vete një zarf të palosur dhe është takuar me shtetasin Bujar Murati në një bar afër stadiumit “Dinamo” në Tiranë. Sipas akuzës, në datën 16 shtator 2009, Sulo i ka telefonuar të pandehurit Festim Bashllari dhe i ka thënë se puna 90% është e bërë, pasi i ka dhënë fjalën ai “shoku”. Rezulton se në datën 17.09.2009, Ilir Sulo i telefonon një shtetasi, të cilit i thotë se i ka punët në vijë, se nuk i ka futur të gjitha në emrin e tij në tender, pasi kështu i tha ai shoku dhe se atë javë pritej shpallja e fituesit. Në datën 17.09.2009, i pandehuri Artan Berberi i ka telefonuar Ilir Sulos dhe e pyet nëse gjithçka po shkon mirë. Iliri i përgjigjet se gjithçka është mirë me përjashtim të Agurit. Prokuroria deklaron se në datën 18.09.2009, i pandehuri Ilir Sulo ka telefonuar shtetasin Redi Popescu, i cili ishte mik i përbashkët i tij dhe i Bujar Muratit dhe i ka thënë që ta pyesë njëherë Bujarin se çfarë po bëhet ndonjë gjë për tenderin. Iliri i thotë se Bujari i ka thënë se do takohen pas një jave dhe se ndërkohë Bujari nuk po bën asgjë. Në datën 18.09.2009, Redi Popescu ka telefonuar Ilir Sulon dhe i ka thënë të hapë internetin se është bërë shpallja e fituesit të tenderit të këpucëve dhe se rezultatet Iliri i ka në rregull “siç ia dha letrën”. Më pas në dosje detajohen të gjitha përpjekjet për të mbledhur lekë nga të gjithë përfaqësuesit e firmave.
Prokuroria deklaron se në datën 25.09.2009 Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur renditjen e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë prokurimi të fondeve publike dhe renditja e ofertuesve fitues përputhet plotësisht me marrëveshjen e bërë midis të pandehurve përfaqësues të shoqërive pjesëmarrëse në tender në takimin e zhvilluar midis tyre në lokalin në Rrugën e Barrikadave. Gjithashtu, nga dokumentet e zhvillimit të tenderit konstatohet se të gjitha lotet për të cilat janë shpallur fituesit, ofertat ekonomike të tyre janë në vlera pothuajse të barabarta me fondin limit të vënë në dispozicion për këta mallra. Më pas për këtë tender ka filluar një hetim administrativ pas ankesës së një firme që është skualifikuar. Prokuroria deklaron se në të gjitha lotet e kësaj procedure prokurimi, nga ana e APP–së, janë konstatuar shkelje që kanë të bëjnë me kualifikimin në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike të shoqërive të ndryshme, mosrespektimin e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Pas këtij vendimi, Ilir Sulo, i cili ka qenë larguar jashtë shtetit, është kthyer në datën 03.11.2009 dhe është interesuar për të marrë vesh arsyet e anulimit të procedurës, si dhe ka komunikuar me të pandehurit Bujar Murati dhe Redi Popescu, si dhe me shtetasin Pandeli Treska për këtë qëllim.
#