E Diel, 1 Nëntor 2026

Grossruck: Nuk ka krizë politike

Austriaku

Numri dy i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Gossruck, e quan krizën politike në Shqipëri një çështje të mbyllur. Deklaratat e zyrtarit të lartë të Asamblesë së OSBE-së erdhën pas takimit me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe përpara takimit me shefin e qeverisë, Sali Berisha. Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Gossruck, në takimin e djeshëm me klasën politike të djathtë në Tiranë, lëshoi mesazhet pozitive për vizat dhe mënyrën se si ai interpreton çështjen “krizë politike” në Shqipëri. “Duke mos folur për krizë, më vjen mirë ta pranoj se problemet politike u zgjidhën, që socialistët u kthyen në Parlament, ku së bashku me mazhorancën duhet të marrin vendime të rëndësishme”, thotë Gossruck, i cili shton se në të ardhmen bojkoti i opozitës do të mbetet një pjesë e parëndësishme e historisë. “Unë dua thjesht të shprehem se është më mirë të punojnë bashkë, sesa të debatojnë në rrugë”, shton ai. Duke u shprehur se nuk i pëlqen të bëjë vërejtje lidhur me politikën e vendeve të tjera, duke përfshirë edhe Shqipërinë, Gossruck thotë se është tepër i interesuar që Shqipëria dhe shtetasit e saj të zhvillojnë vetveten. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së komentoi dhe miratimin e rezolutës për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. "Jam shumë i lumtur që brenda fundit të këtij viti, shqiptarët, ashtu si dhe shtetet e tjera të Europës, si Serbia etj., do të mund të lëvizin të lirë dhe s’do të ketë më probleme qarkullimi në BE", vijoi ai. Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentarja Topalli kanë përshëndetur gjatë takimit me Gossruck rezolutën e Komisionit të Jashtëm të PE-së, në mbështetje të liberalizimit të vizave me Shqipërinë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›