E Diel, 1 Nëntor 2026

ILION LIKA, MUNGESA E INTERTOTOS

10/06/2005  Portieri i Dinamos është urdhëruar nga mjekët që të pushojë një javë, për të shmangur komplikacionet në dëmtimin e pësuar

Megjithëse përfaqësuesja kuqezi pësoi tre gola nga Danimarka, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në darkë, në Kopenhagen, portieri i Kombëtares sonë, Ilion Lika, ishte njëri nga lojtarët më të mirë. Ai arriti që me ndërhyrjet e tij deçizive të shpëtonte kuqezinjtë e Brigelit, nga një humbje më e thellë, sidomos në momentin që priti një penallti të ekzekutuar nga “ylli” i Milanit, Tomanson. Në një intervistë të dhënë dje për “Metropol Sport”, portieri 25-vjeçar ka zbuluar se edhe në ndeshjen kundër danezëve ka pasur dhimbje në muskujt e barkut dhe është detyruar që të bëjë injeksion për të luajtur. Megjithatë, Lika nuk ka kërkuar që të shfajësohet për humbjen që kuqezinjtë pësuan. Ai ka pranuar se skuadra shqiptare nuk paraqiti vlerat e saj dhe se nuk është i kënaqur nga loja, që ai dhe shokët e tij zhvilluan të mërkurën.

Ilion, megjithëse humbëm në Danimarkë, shumë specialistë thonë se zhvillove një ndeshje të mirë. Personalisht, ndjehesh i kënaqur me lojën tënde?

Jo! Nuk mund ta them këtë. S’jam i kënaqur nga loja ime. Nuk mund të jesh i kënaqur, kur skuadra humbet dhe ti pëson tre gola.

Përsëri pësuam gol në minutat e para dhe humbëm ndeshjen. Sipas mendimit tënd, pësimi i golit të shpejtë ishte faktori deçiziv që ndikoi në humbjen ndaj danezëve?

Besoj se jo. Për mendimin tim, ne humbëm se nuk arritëm që të luanim siç duhet. Luajtëm të ndrojtur, pasi akoma nuk e kemi hequr mentalitetin e inferiorit. Në momentin që nuk arrin të zhvillosh lojën tënde më të mirë kundër një kundërshtari të fortë si Danimarka, atëhere je i destinuar të humbasësh. Megjithatë, të mos e ekzagjerojmë, pasi nuk humbëm nga një skuadër dosido, por nga Danimarka. Për mendimin tim, ekipi danez është skuadra më e fortë e grupit dhe çuditem se si ata janë të katërtët.

Menjëherë pas sezonit je grumbulluar me Kombëtaren dhe tani të duhet që të impenjohesh me detyrimet e Dinamos në Intertoto. Kur do të bëjë Lika pushime?

Në fakt, jam i detyruar që të filloj që tani pushimet, pasi stafi mjekësor më ka urdhëruar që të pushoj, në mënyrë absolute, për një javë.

Domethënë nuk do të jesh në dispozicion të Dinamos për ndeshjen e parë të Intertotos?

Fatkeqësisht jo. Mjekët më kanë urdhëruar në mënyrë të prerë, që të pushoj një javë, përndryshe gjendja e muskujve të barkut mund të përkeqësohet dhe pastaj do të duhet ndërhyrje kirurgjikale.

Tashmë nuk është e fshehtë se ke shumë oferta nga skuadra të kampionateve evropiane. A do ta hedhë Ilion Lika, hapin e madh këtë sezon?

Sinqerisht, nuk kam vendosur akoma. Është e vërtetë që kam disa oferta dhe kam biseduar me disa skuadra të huaja, por bëhet fjalë për një hap vendimtar në karrierën time dhe për këtë, më duhet që të mendohem mirë, para se të vendos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›