Nano prezanton kandidatin e Laprakës
10/06/2005 Gjatë prezantimit të Petrit Malajt, në Laprakë, Kryeministri Fatos Nano u ka premtuar banorëve të zonës legalizim të ndërtimeve pa leje. Gjatë prezantimit të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Petrit Malaj, në zonën zgjedhore numër 39, në Tiranë, kreu i qeverisë tha se, “ne po forcojmë bindjen se vota juaj nuk do të mungojë, sepse jemi të angazhuar të vazhdojmë zbatimin e projektit të madh, që jo vetëm legalizon banesat dhe pasuritë që keni krijuar në këto vite, por edhe ju integron si banorë të rinj dhe krejt të barabartë me pjesën tjetër të kryeqytetit“. Ndërsa, duke vijuar me gamën e investimeve dhe projekteve që do të thithë kjo zonë për katër vjetët e ardhshëm, Nano nuk ka harruar të sulmojë dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Ju e dini mirë se regjimi i Sali Berishës, regjimi i kolonelëve politikë, regjimi i dajakut të SHIK-ut, edhe sikur të vinte sërish, është po aq i paaftë t’ju ofrojë alternativa dhe mundësi jetese, në trojet tuaja dhe mos harroni që ishte ai që ju çoi në kaos dhe pa mbrojtje, si njerëz endacak, pa destinacion dhe pa shpresë. Mirë se rrini në vendin tuaj dhe në shtëpinë tuaj si zot“, tha Nano.