E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhani: Janari sjell Partizanin më të mirë

Presidenti i Partizanit i premton tifozërisë se projektet e reja do të nisin të zbatohen që në muajin janar

Nuk është rastësi që presidenti i të kuqve zgjedh derbin kundër Tiranës për t'u dhënë "ushqim" serioz gazetave. Shpesh është marë me të ashtuquajturin sistem, por djje, pas përfundimit të derbit Partizani-Tirana 2-2, prej gojës së tij pritej "sherbeti", ose më mirë ajo që të gjithë duan të dëgjojnë dhe të shpresojnë se do të ndodhë realisht! Albert Xhani doli para mikrofonëve pas këmbënguljes së gazetarëve dhe në fillim bëri një rezyme për situatën në klubin e kuq dhe komentoi rezultatin e barabartë me rivalët historikë. "Vazhdojmë të jemi në një gjendje tepër të vështirë përsëri. Të gjithë kemi të drejtë të mërzitemi kur shikojmë Partizanin në vendin e fundit. Por asnjëri nga ne nuk ka të drejtë ta urrejë atë dashuri që ka pasur të përhershme. Ky barazim tregoi edhe njëherë se ne nuk jemi nga ato ekipe që duhet të mbajnë vendin e fundit, por arsyet objektive dhe subjektive si financat, fati, gjykimi, Zoti e shumë të tjera na kanë bërë që të jemi në vendin e fundit. Megjithatë është shumë e rëndësishme që ju të besoni se Partizani nuk do të dalë kurrë nga kategoria. Sot nuk jemi marrë me sistemim, sot kemi treguar edhe njëherë se nuk e meritojmë atë vend që kemi, por gjithsesi nuk mund të themi se me këtë barazim zgjidhëm e mbyllëm gjithçka. Përsëri jemi në fund të tabelës, në pozita shumë të vështira."- deklaron njëshi të kuqve që më pas do të ngacmonte kuriozitetin e gazetarëve me pohime të tjera: "Janari ka për të shënuar një vit shumë të mbarë për Partizanin në të gjithë 60 vitet e historisë së tij". Pikërisht këtu nisi edhe "vaterloja" media-Xhani. Të gjithë kërkonin të mësonin diçka më shumë prej presidentit të kuq, i cili jo vetëm premtoi një kthesë 180% në të gjitha aspektet, madje dha edhe afate, të cilat fatmirësisht për tifozët e kuq, janë shumë afër. "Problemet e Partizanit janë duke u zgjidhur, çështje orësh. Besoj se brenda datës 20-25 dhjetor gjithçka do të jetë zgjidhur. Kemi përfunduar gjithçka, të gjithë programin dhe projektin tonë. Do të dëgjoni diçka shumë të re që do të jetë një risi në futbollin shqiptar dhe këtë ju të gjithë duhet ta mbështesni." Partizani lundron prej kohësh në ujëra të turbullta, megjithatë në derbin e djeshëm lojtarët dhanë shenja jete dhe dëshirë për ta nxjerrë skuadrën nga llumi ku ka ngecur. Mesa duket një dorë ka vendosur ta vendosë bashkë me ta edhe presidenti Xhani, i cili premton një të ardhme të ndritur për skuadrën e kuqe. "Partizani vitin e ri do ta gjejë si asnjëherë tjetër në këta 60 vjet". Duket si një premtim i bukur për Bajram Kurbanin, megjithatë tifozët duan diçka më tepër sesa fjalët për të besuar vërtet se skuadra e tyre e zemrës do të arrijë t'i mbijetojë këtij sezoni të mbrapshtë dhe, mbi të gjitha, do të jetë po ai ekip dinjitoz si sezonin e shkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›