HEC-et, ofertat hapen pas 4 ditësh
Privatizimi
Frikë te konkurrentët për manipulim zarfesh. METE: Kini besim
ARD KOLA
Ofertat për blerjen e dy hidrocentraleve në jug të vendit, Bistrica 1 dhe Bistrica II, u paraqitën dje, brenda orës 14:00, sikurse kishte kërkuar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, por çuditërisht, po dje, zv/ministri, Sokol Dervishaj deklaroi se zarfet do të hapen ditën e premte, pas katër ditësh. Ligji shqiptar i ankandeve, ashtu si aktet e tjera është hartuar në atë formë ku jepen shumë hapësira për interpretim. Ekspertë të fushës e njohin hapjen e ofertës disa ditë pas paraqitjes së saj, por thonë gjithashtu se janë raste tepër të rralla dhe duhen argumentuar me fakte të forta.
Shpjegimin e bën ministria. Duhet të sqarojmë që në fillim, se vendimi për hapjen e ofertave disa ditë më pas vjen si strategji e jona për të ruajtur konfidencialitetin e firmave pjesëmarrëse në ankand dhe qëllimin tonë për të marrë vlerën më të mirë të mundshme, deklaroi zv/ministri, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
E thënë ndryshe, METE kërkon të shmangë një kombinim ofertash, pasi këtë të enjte do të zhvillohet një tjetër ankand për shitjen e dy HEC-ve, Ulzë dhe Shkopet, ku mundësia e pjesëmarrjes në garë të të njëjta firmave si te Bistrica I dhe II është e madhe. Në rast se METE do ti kishte hapur dje ofertat e garuesve, rrezikonte të merrte vlera më të ulëta për ankandin e radhës, ose anasjelltas, por gjithsesi përmbante risk.
Ajo çfarë të bën të dyshosh është vendimi i METE-s në momentet e fundit. Të dielën në darkë, ministria njoftoi se në orën 14:00 do të bëhej hapja e ofertave, ndërsa një ditë më pas, zv/ministri, i sikletosur, deklaroi ndryshimin e procedurave. Jemi konsultuar me IFC-në dhe është një vendim strategjik, tha ai, duke mos harruar tu japë disa këshilla mediave. Ju lutem mos abuzoni me këtë vendim dhe mos spekuloni, ishte deklarata e Dervishajt, duke nënkuptuar se edhe vetë METE ka marrë një vendim delikat.
Po sa të sigurta do të jenë ofertat dhe kush e garanton se zarfet nuk do të hapen gjatë qëndrimit të tyre në ministri? Zv/ministri u përpoq të bindte se çdo dokument do të ruhej konform ligjit. Këtë rrezik mund ta kenë edhe ofertat e ditës së enjte për HEC-et Ulzë dhe Shkopet, pasi çmimi për blerjen e objekteve do të mësohet një ditë më pas, në orën 14:00.
Ligji për ankandet nuk e specifikon qartë se kur duhen hapur ofertat.
Pika 4 e nenit 18, thotë se, Pas mbarimit të afatit maksimal për paraqitjen e ofertave, autoriteti shitës hap ofertat, verifikon kualifikimet apo mangësitë e ofertuesve, dokumentacionin, dhe përzgjedh ofertën fituese, pas krahasimit të ofertave, bazuar në kriteret e çmimit më të lartë të ofruar. Një tjetër pjesë e ligjit thotë se METE mund ti ndryshojë procedurat me pëlqimin e firmave, duke i njoftuar paraprakisht ato.
Rishikimi i procedurës konsiderohet i dyshimtë edhe në rast se firmat garuese do të kenë rënë dakord. Gara konsiderohet e fortë, ku për herë të parë në listë janë përfshirë edhe kompani shqiptare, të njohura në fushën e ndërtimit.
Katër hidrocentralet që qeveria dëshiron ti privatizojë për 100-150 milionë euro, mund të kushtojnë dy herë më shumë në rast se do të ndërtohen tani dhe kanë një jetëgjatësi prej së paku 250-300 vjet, bëjnë të ditur ekspertë të energjisë për Shqip, duke kundërshtuar shitjen e një pasurie kombëtare të pazëvendësueshme, siç e konsiderojnë ata.
Të katër hidrocentralet prodhojnë mesatarisht 546 mijë MW/h, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW/h, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë eurosh.
Për realizimin e objektivit, qeveria lidhi kontratë me IFC, e cila do të shërbente si konsulente për një shitje me çmim sa më të mirë të mundshëm. Zyrtarisht, në garë janë disa kompani, austriake dhe franceze, të cilat në garën e parë të muajit qershor nuk ofruan atë çmim të dëshiruar nga qeveria, ndërsa në tender mungonte konkurrenca.
Në vitin 2011, kur qeveria bëri për herë të parë publik planin për ti shkëputur katër hidrocentralet nga Korporata Energjetike me qëllimin për ti shitur te privatët, projekti shkaktoi debate të fortë, jo vetëm politike, por edhe mes ekspertëve. Kjo për disa arsye. Së pari, të dhënat zyrtare tregojnë se katër hidrocentralet e nxjerra në shitje janë ato që kanë dhe normat më të larta të fitimit. Së bashku me HEC-in e Lanabregasit, që iu shit Drejtorisë së Ujësjellësit në vitin 2010 këto hidrocentrale dhanë rreth 6 për qind të të ardhurave totale të KESH, por ndërkohë për të njëjtin vit zunë vetëm 2.9 për qind të shpenzimeve. Ky tregues dëshmon se normat e fitimit te HEC-et që qeveria po ja u shet privatëve janë të paktën dy herë më të larta nga mesatarja e KESH, duke konfirmuar leverdishmërinë e tyre të lartë.
Ashtu si me Pattom Boggs-in, METE, ndryshimin e procedurave po e bën nën justifikimin e IFC-së
Rishikimi i procedurës konsiderohet i dyshimtë edhe në rast se firmat garuese do të kenë rënë dakord
Eficienca
Së bashku me HEC-in e Lanabregasit, që iu shit Drejtorisë së Ujësjellësit në vitin 2010 këto hidrocentrale dhanë rreth 6% të të ardhurave totale të KESH, por ndërkohë për të njëjtin vit zunë vetëm 2.9% të shpenzimeve
Ankandi
Neni 18
Procedura e hapur
1. Ankandet zhvillohen me procedurë të hapur, veç rasteve të parashikuara në nenet 19 e 20 të këtij ligji.
2. Në procedurën e hapur autoriteti shitës boton një njoftim, në përputhje me nenet 23 dhe 24 të këtij ligji, në të cilin jepet një përshkrim i objektit të shitjes.
3. Të gjithë ofertuesit e dorëzojnë ofertën e tyre, përkatësisht, ofertën ekonomike dhe provën për përmbushje të kritereve përzgjedhëse, sipas kërkesave të neneve 29 e 30 të këtij ligji.
4. Pas mbarimit të afatit maksimal për paraqitjen e ofertave, të përcaktuar në njoftimin e ankandit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në nenin 28 të këtij ligji, autoriteti shitës hap ofertat, verifikon kualifikimet apo mangësitë e ofertuesve, dokumentacionin, në bazë të kritereve të përcaktuara në nenet 29 e 30 të këtij ligji dhe përzgjedh ofertën fituese, pas krahasimit të ofertave, bazuar në kriteret e çmimit më të lartë të ofruar.
HEC-et, ofertat hapen pas 4 ditësh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip