E Diel, 1 Nëntor 2026

HEC-i i Ashtës, investimi 160 mln euro fillon në mars



Muaji mars i këtij viti do të shënojë edhe nisjen e punimeve nga projekt kompania “Energji Ashta” për hidrocentralin më të madh Matrix në Shqipëri. Investimi prej 160 milionë eurosh i kompanisë austriake Verbund, tashmë ka marrë të gjitha lejet e nevojshme nga strukturat përkatëse për vijimin e këtij projekti ambicioz. Në perspektivën e tij, HEC-i i Ashtës pritet të prodhojë energji elektrike për më shumë se 100,000 familje shqiptare, të krijojë vende të reja pune dhe të japë një impuls pozitiv zhvillimi për zonën dhe vendin në përgjithësi. Ai është i ndarë në dy pjesë. Fillimisht energjia do të gjenerohet në hidrocentralin Ashta I, ku 45 turbina të tipit Matrix do të furnizohen me deri 530m³/s ujë. Kjo risi teknologjike vë në përdorim disa turbina të vogla, në bazë të të cilave mundësohet shfrytëzimi i prurjeve të pakta duke rritur në këtë mënyrë eficencën. Ndërkohë që elektricitet do të gjenerohet për një herë të dytë në hidrocentralin Ashta II, pas një kanali që gjendet më poshtë, 7 kilometra i gjatë, pranë fshatit të vogël të Ashtës, pjesë e komunës së Bushatit. Duke filluar nga viti 2012, energjia e prodhuar do të ushqehet në rrjetin shqiptar 110 kV. Për 15 vitet e ardhshme, energjia e prodhuar në Ashtë do të blihet tërësisht nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›