E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, dëmi i familjeve katër mijë euro



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Përmbytjet e janarit u kanë shkaktuar familjeve shkodrane një dëm total prej 4 milionë e 213 mijë eurove. Komisioni i verifikimit të dëmeve pohoi dje shifrën, pas përfundimit të procesit në banesat që u mbuluan nga uji në fillim të këtij viti. Kjo shumë parashikohet të jetë akoma më e madhe, pasi nuk janë përfshirë në listën e dëmeve bizneset apo institucionet shtetërore, si: kopshte, shkollat e godina të tjera nëpër komuna. Po ashtu janë dhe sipërfaqe toke ende të paverifikuara, prej të cilave nuk ka ikur ende uji, si pasojë dhe të reshjeve të pandërprera. Shifra e dëmit u bë e njohur gjatë takimit të djeshëm, të zhvilluar në Prefekturën e Shkodrës ku ishin të pranishëm, veç ekspertëve të komisionit të vlerësimit të dëmeve, pushtetarët vendorë dhe Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. Përfundimi i verifikimit të këtyre të dhënave, sipas ekspertëve, i hap rrugë procesit të dëmshpërblimit, për të mos e vonuar atë, për mbi 4 mijë familje që u dëmtuan nga reshjet. Do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të shqyrtojë faturën për të përcaktuar dëmshpërblimin e banorëve të rajonit të Shkodrës. Sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi, mesatarisht vlera e dëmshpërblimit është rreth 1 mijë euro. Aktualisht, procesi i verifikimit po vazhdon me objektet e tjera dhe me bizneset, ku është dashur ndërhyrja edhe e specialistëve nga Ministria e Ekonomisë. Gjithashtu, edhe pas daljes së përfundimeve, familjet do të kenë mundësi që të paraqesin ankesat e tyre, të cilat do të shqyrtohen nga një komision i veçantë. Ministri Ruli e ka quajtur një punë titanike atë të komisionit për të arritur në një vlerësim real, konkret dhe të ndershëm. “Ne arritëm që të shmangnim katastrofën, por tani duhet të jemi të vëmendshëm që të mos kemi probleme me dëmshpërblimet. Por, procesi nuk ka mbaruar ende”, u shpreh Ruli. Sipas tij, aktualisht po ndërhyhet për të mbrojtur tokat dhe familjet nga përmbytjet, të cilat paraqesin ende rrezikshmëri duke parë kushtet aktuale të motit, siç është dhe rasti i Ashtës, ku 8 familje rrezikohen nga ngritja e nivelit të Drinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›