Zyrtarizohet kriza, Berisha: Do ulim shpenzimet e buxhetit
nertila maho
Më në fund edhe kryeministri është bindur që Shqipëria është në krizë ekonomike. Dje për herë të parë, Berisha pranoi që të shkurtohen shpenzimet e buxhetit, si një kusht i domosdoshëm ky për të mbajtur në nivele normale borxhin. E thënë më ndryshe, Qeveria po mbledh më pak të ardhura sesa ka parashikuar shpenzimet. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka më shumë se një muaj që ka parashikuar ndryshimet e buxhetit të vitit 2010, por edhe ndryshime në parashikimet buxhetore për vitet 2011-2013. Lajmin e shkurtimeve të shpenzimeve, Berisha e dha gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive”. Megjithëse u mundua ta shpjegojë uljen e shpenzimeve për të garantuar kredibilitet në vlerësimin ndërkombëtar që do t’i bëhet buxhetit për emetimin e eurobondit, Kryeministri pranoi se efektet e tkurrjes do të ndihen fort në buxhet. “Shpenzimet do të rrudhen, sepse ne na duhet të adoptojmë një politikë agresive në uljen e borxhit publik të vendit. Kjo sjell në mënyrë të vetvetishme, inkurajim më të madh të investitorëve të huaj dhe përmirësim të sigurt të rating-ut”. Berisha theksoi se, ruajtja e borxhit të buxhetit do të shërbejë për rritjen e besimit të investitorëve të huaj. Ai pranoi propozimin e Ministrisë së Financave, që rreth 200 milionë euro, nga emetimi për herë të parë të eurobondit nga Qeveria shqiptare, duhet të shkojnë për shlyerjen e kredisë sindikale të marrë një vit më parë. “Vendimi për likuidimin e kësaj kredie dhe, nga ana tjetër, adaptimi i një politike më agresive në zvogëlimin e deficitit buxhetor dhe zvogëlimin progresiv të borxhit publik të vendit kërkon një përqasje të re ndaj të gjitha parashikimeve të bëra”. Në fakt, Ministria e Financave ka parashikuar edhe rishikimin e buxhetit të këtij viti. Në parashikimet buxhetore për vitin 2010, financat kanë qartësuar se të ardhurat do të jenë 30 miliardë lekë më të ulta, ose rreth 300 milionë dollarë nga parashikimi. Për këtë arsye, në mënyrë që deficiti të qëndrojë sipas parashikimeve, financat do të shkurtojnë rreth 11 miliardë lekë shpenzimet korente dhe rreth 19 miliardë lekë shpenzimet kapitale, apo investimet.
Pagat dhe pensionet
Edhe pse shumica e ekonomistëve të institucioneve ndërkombëtare, parashikojnë që në kohë krize të mos ketë politika për rishikimin e pagave dhe pensioneve, Berisha garantoi dje se fondet për këto dy shtresa nuk do të preken. “Do të ketë shkurtim të shpenzimeve, por pa prekur fushat prioritare. Së pari, rrogat dhe pensionet. Unë jam njohur me materialin e sjellë nga Ministria e Financave dhe ajo politikë është e paprekshme”. Nga ana tjetër, Qeveria do të garantojë edhe shpenzimet për ushtrinë, që duhet të jenë të paktën sa 2 për qind e prodhimit, si kusht i një vendi anëtar të NATO-s. Por fondi i investimeve do të garantojë vetëm asket e mëdha kombëtare. Berisha nënvizoi se pavarësisht krizës, rruga e Arbërit, autostrada Tiranë- Elbasan, Korçë–Qafë Plloçë dhe Boshti i Jugut, nuk do të preken nga shkurtimi i fondeve. Në fakt, për rrugët Berisha foli edhe në mbledhjen e Qeverisë. Sipas tij, ka përfunduar projekti për autostradën Tiranë-Elbasan me dy tunele. “është në shqyrtimin e fundit projekti i Boshtit të Jugut, Memaliaj-Tepelenë. Projekti i Boshtit të Jugut Berat-Tepelenë, me urat dhe tunelet e tij, është në finalizim të plotë brenda dy javëve nga një kompani e njohur kuvajtiane. Ka përfunduar tërësisht, përveçse disa pjesë të tunelit që janë në fazën përfundimtare, edhe projekti Tiranë-Klos, i rrugës së Arbrit. Brenda këtij viti pritet që të nisë puna në këto tre akse”.