Spitalet, garantohen fondet për ilaçet dhe pagat
Qeveria jep 12.7 miliardë lekë për spitalet. Fondi i akorduar për këtë vit do të përdoret për barna e paga. Dje Qeveria miratoi vendimin për “Financimin e Shërbimeve Shëndetësore Spitalore për vitin 2010 nga Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. “Kështu në ketë shërbim do të financohen 12.7 miliardë lekë për shpenzimet operative ose 14% më shumë se shpenzimet e vitit të kaluar. Gjithashtu janë parashikuar dhe 3.2 miliardë lekë investime buxhetore që do të shkojnë kryesisht per blerjen e medikamenteve. Sipas Ministrisë së Shëndetësie me fondet e reja sigurohet rritja e autonomisë se spitaleve në prokurimin e barnave mjekësore duke rritur edhe gamën e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili u shpreh dje se vendimi rikonfirmon mbështetjen e Qeverise për përmirësimin cilësor të shërbimit spitalor.” Objekti kryesor i reformës në financimin e shërbimit spitalor është rritja e eficencës së financimit dhe padyshim përmirësimi i performancës së këtij sistemi. Reformat e nisura nuk kane kthim mbrapa.”,tha Vasili. Po ashtu në vendimin e djeshëm propozohet qe standardet e spitaleve dhe treguesit e cilësisë e të performances duhet te miratohen nga Ministria e Shëndetësisë brenda datës 30.10.2010. është caktuar kjo datë edhe për përcaktimin e protokolleve të diagnozës dhe të trajtimit. Në vendim është propozuar gjithashtu që spitalet dhe ISKSH-ja janë të detyruara te llogarisin koston e çdo shërbimi ,në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë , brenda 1 viti pas miratimit te standardeve dhe protokolleve të diagnozës dhe të trajtimit. Për herë të parë këtë vit spitalet janë futur në skemën e sigurimeve shëndetësore. Reforma e re garanton autonominë e tyre si dhe siguron standarde të reja në shëndetësinë shqiptare. Sipas kësaj reforme pacientët duhet të zbatojnë sistemin e referimit dhe të derdhin kontributet shëndetësore. Në të kundërt atyre do t’u duhet të paguajnë për çdo shërbim ,ekzaminim dhe vizitë që më parë e merrnin falas edhe nëse nuk plotësonin këto kushte.