Qeveria ndryshon ligjin për SHISH, drejtori mandat 5 vjecar
TIRANE- Sic kishte paralajmëruar dhe disa javë më parë kryeministri Berisha prezantoi këtë të mërkurë ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit ose i njohur më parë si SHIK. Ndryshimi sipas kreut ekzekutiv synon të vendosë shërbimin informativ në ndihmë të agjencive që merren me luftën ndaj krimit të organizuar ndërsa i vendoset tashmë një mandat 5 vjecar me të drejtë riemërimi vetëm një herë drejtorit të përgjithshëm të SHISH. “Ligji përcakton afatin 5 vjecar të mandatit të drejtorit dhe zv.drejtorit. Nuk ekziston në asnjë vend të lirë drejtor apo zv.drejtor pa mandat të caktuar, për më tepër kur në disa aspekte ligji e barazon me ministrin.” u shpreh Berisha. Por vendosja me ligj e një mandati 5 vjecar për drejtorin e SHISH vendos gjithashtu në pikëpyetje të vazhdimit të detyrës së kreut aktual të SHISH, pasi në 7 shkurt bëhen plot 5 vite që nga emërimi i tij në këtë detyrë, me firmë të ish presidentit Alfred Moisiu. Ndryshimi parashikon gjithashtu ndihmesën që agjensitë e SHISH do të japin në mbledhjen e informacionit për kontrabandën, pastrimin e parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike. “Në objektin e punës qartësohet më mirë detyra e shërbimit për të ndihmuar agjensitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar. Shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personave publik.” tha Berisha. Sipas kryeministrit nuk do të ketë ndryshim në procedurat e emërimit të drejtorit dhe zv.drejtorit. (e.n/News24/BalkanWeb)