E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vrasja e Rivelinos, të implikuar shumë persona”

14/06/2005  Policia e Fierit ngre shumë pista e motive për vrasjen e të porsaliruarit nga burgu

FIER – Shumë persona të implikuar, shumë mistere dhe shumë pista dyshohet dhe janë ngritur nga policia lokale e Fierit, për vrasjen e mbrëmjes të së dielës, ku me dy plumba pistolete TT i është marrë jeta 32-vjeccarit Rivelino Heqimi, i njohur dhe me emrin Ervin Naka, baba i dy fëmijëve.

Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, drejtori i saj, Sokol Kalani, pohon se “kjo është një ngjarje që mund të jenë të implikuar shumë persona. Megjithatë, ka shtuar Kalani, sektori i policisë kriminale po heton edhe në pista të tjera”.

Ngjarja

Sipas versionit të policisë, viktima Ervin Heqimi kishte më pak se në muaj që ishte kthyer nga burgu i Rrogozhinës ku kishte kryer plot 10 vjet për veprën penale të vrasjes së shokut të tij Bledar Brahimi, nga Fieri. Rivelino kishte qenë duke parkuar makinën afër apartamentit të nënës së tij, pikërisht në kopshtin e shtetasit Dhori Aguridhi, kur dy krisma pistolete e goditën atë në kokë.

Menjëherë njerëz të ndodhur aty rastësisht e kanë çuar në spital, por plagët kanë qenë të rënda dhe hemorragjia e madhe.

Sapo ka mbërritur në oborrin e spitalit, 32 vjeçari, baba i dy fëmijëve, vdiq menjëherë.

Në vendngjarje shkuan shumë forca të policisë, të cilat, pas veprimeve të para hetimore, konstatuan se kishin të bënin me një larje hesapesh.

Në vendngjarje u bllokua në cilësinë e provës materiale pistoleta dhe prova të tjera materiale.

Viktima

Rivelino, i cili njihej edhe me emrin Ervin, mbante mbiemrin e së ëmës Heqimi, ndaj policia ka dhënë versionin e dy emrave pas ekzekutimit të tij.

Rivelino, kohët e fundit, fill pas daljes nga burgu, jetonte në apartamentin e së ëmës, Verës, e cila jetonte e vetme, në katin e parë të një pallati parafabrikat në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit, jo më larg se 300 m largësi nga vendi i parkimit, ku u vra.

Familja

Në katin e parë të një pallati tejet të vjetër parafabrikat në lagjen “Liri”, në një zonë periferike të qytetit, jeton e vetme nëna e Ervinit, Vera Heqimi. Asaj tashmë i kanë mbetur dhe tre djem të tjerë, Bilbili, Agimi dhe Manoli, ndërsa ka pasur edhe Arbenin, që i është vrarë më 1998, në qytetin e Fierit dhe policia asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë version zyrtar, lidhur me autorët e vrasjes.

Ndërsa tre djemtë e parë, ajo i ka lindur nga martesa e parë, martesa e dytë me Ilia Nakën, i ka dhënë vetëm Rivelino Heqimin (Ervinin). Rivelino nuk e takonte shumë të atin, sepse kohët e fundit jo vetëm që Ervini ishte në burg, por edhe i ati menjëherë pas divorcit të tij me nënë e Ervinit kishte ikur në emigracion në Greqi. Ky ka qenë shkaku që Ervinin e njihnin me mbiemrin e së ëmës.

Në maj 2005, doli nga qelitë e burgut

Vrau shokun duke pirë, 12 vjet në Rrogozhinë

Rivelino Heqimi sapo kishte dalë nga burgu pas 10 vitesh vuajtje dënimi për vrasjen e shtetasit Bledar Brahimi, vrasje kjo e ndodhur më 9 maj të vitit 1995 në një lokal po në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit. Heqimi kreu dënimin prej 10 vjetësh, pasi procesi i gjykimit të tij u zhvillua në mënyrë të shkurtuar dhe në gjyq ai pranoi fajësinë.

Lidhur me vrasjen e Bledarit, që kishte kryer Rivelino, sipas prokurorisë e gjykatës, mësohet se autori dhe viktima kanë qenë shokë të ngushtë me njëri-tjetrin, por duke pirë në lokal ishin sharë dhe fyer e më pas Rivelino e kishte qëlluar atë me pistoletë, duke i marrë jetën.

Pasi kishte vuajtur dënimin në burgun e Rrogozhinës, viktima ishte liruar në maj të këtij viti, dhe, sipas nënës së tij, Verës, ai po përgatitej për të nisur një “jetë tjetër” në Itali së bashku me gruan Ornelën dhe fëmijët e tij, Amarildon dhe vajzën Edlirën, të cilët së bashku me nënën e tyre kishin vite që jetonin në Itali, te gjyshërit nga nëna.

Vëllai i Rivelinos

Bilbil Heqimi, u plagos në Fier, u dënua në Torino si trafikant

Në korrik të vitit 2001 është vënë në pranga nga ana e policisë italiane Bilbil Heqimi. Vëllai i të vrarit, dy net më parë, është cilësuar nga hetuesit italianë si kreu i një grupi shqiptaro-italian që merrej me trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Policia e Torinos në përfundim të operacionit të koduar me emrin “Boston” në korrik të vitit 2001, shpartalloi një bande narko-trafikantësh heroine, duke deklaruar arrestimin e 14 personave, 8 shqiptarë dhe 6 italianë, në krye të të cilëve ishte shtetasi shqiptar, Bilbil Heqimi, më banim në Fier. Ai është dënuar në shtetin fqinj me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të drogës”. Ky rrjet kishte çuar në Itali një sasi prej 150 kilogramë heroinë, por vetëm 100 kilogramë janë kapur nga policia italiane. Jo me pak habi hetuesit italianë deklaruan se ky rrjet narkotrafikantësh kryesohej nga shqiptari Bilbil Heqimi, 41 vjeç. Ky ishte përfundimi i një investigimi prej disa muajsh i filluar që me kapjen e bosit shqiptar, Bilbil Heqimi.

Ky i fundit, ishte vënë në pranga që në korrik të atij viti, bashkë me tre shqiptarë të tjerë në Itali - Besnik Vasjani nga Elbasani, Shkëlqim Gremi dhe Julian Latifi, sepse u kapën në flagrancë me 35 kilogramë heroinë të fshehur në rrotat e makinës.

Bilbil Heqimi ishte prezantuar si biznesmen tekstilesh, që bënte tregti nga Shqipëria në Itali e Shtetet e Bashkuara, tamam në Boston, emrin e të cilit mori dhe operacioni që çoi në arrestimin e të përfshirëve në rrjetin e trafikut ndëkombëtar të lëndëve narkotike.

Para se Biblil Heqimi të arrestohej e dënohej në Itali, ai i kishte shëptuar një atentati më 30 dhjetor të vitit 2000 në bar “Iliria”, në qendër të Fierit, ndërsa ishte duke pirë kafe me Baki Taullain, Bledar Krasniqin. Nga ky atentat, ai vetëm sa u plagos lehtë. Pas kësaj u kap nga policia italiane për trafik droge.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›