E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, KESH aksion për të mbledhur borxhet

KORÇE - Plot 12 grupe Task-Force do të angazhohen për ndërprerjen e energjisë për debitorët e KESH-it në Qarkun e Korçës.

Fakti që në arkën e KESH-it të këtij rajoni gjatë dhjetë viteve të fundit nuk janë derdhur 225 milionë lekë, ka çuar në angazhim maksimal të strukturave përkatëse për vjeljen e tyre. Bëhet e ditur se debitorët janë abonentë familjarë, si edhe një numër i konsiderueshëm abonentësh shtetërorë dhe privatë. Grupet e Task-Forcës do të bëjnë verifikimin në terren dhe për ata abonentë që figurojnë debitorë do t'u ndërpritet lidhja e energjisë elektrike. Drejtori i kësaj zone elektrike, Gëzim Hoxhalli, u shpreh se, "Do të dalim në terren për të parë të gjithë ata abonentë që nuk kanë paguar energjinë elektrike dhe pa bërë asnjë dallim mes tyre do të zbatojmë ndërprerjen e energjisë elektrike. Edhe pse detyrat i kemi të shumta, dy ditë në javë do të merremi me debitorët që nga drejtori, gjithë administrata e deri tek punonjësit më të thjeshtë. Synimi është që të rriten arkëtimet dhe të zbatohet deri në një ligji në këtë drejtim". Sipas statistikave të likuidimit të faturave të KESH-it, në Qarkun e Korçës rezulton se, nga viti 1996 e deri në fund të prillit të këtij viti janë 2000 abonentë që janë debitorë. Përveç debitorëve familjarë dhe atyre privatë borxhet më të mëdha ju përkasin edhe subjekteve shtetërore si Ndërmarrjes e Ujësjellësit Fshat, Komunat Çëravë, Pojan, Progër dhe Qendër Bilisht. Ndërkohë që bëhet e ditur se ende në degën e shitjes dhe në Drejtorinë e Zonës Elektrike vazhdojnë ankesat e abonentëve që vazhdojnë të marrin fatura aforfe, ku lexuesit shënojnë sasi energjie shumë më tepër se ajo që është harxhuar.               j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›