E Diel, 1 Nëntor 2026

Hafizi: Tare dhe Bogdani i duhen kombëtares shqiptare

Dy ndeshjet eliminatore të kombëtares shqiptare, fillimisht ajo kundër Sllovenisë dhe më pas kundër Bullgarisë, të cilat do të luhen në fund të marsit priten me shumë interes nga të gjithë sportëdashësit shqiptarë. Federata Shqiptare e Futbollit bashkë me stafin teknik të kuqezinjve që kryesohet nga trajneri Oto Baric kanë filluar përgatitjet për këto dy takime, por sidomos për atë kundër sllovenëve që është shumë i rëndësishëm përsa i përket ecurisë së kuqezinjve në këto eliminatore. Për këtë cështje, futjen e talenteve të reja në skuadër dhe për të shumëpërfolurin rinovim flet ish-tekniku i përfaqësueses tonë, Astrit Hafizi, i cili deklaron se tekniku kroat po përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme për ekipin më të dashur të shqiptarëve. "Këto eliminatore sapo kanë filluar dhe është shpejt për të nxjerrë ndonjë konkluzion. Mendoj se në fund të të gjitha ndeshjeve duhet të ketë analiza, të cilat e nxjerrin më mirë në pah atë që ka arritur dhe atë që nuk ka arritur një kombëtare. Në fund të eliminatoreve gjërat bëhen më të qarta dhe mund të nxirret një konkluzion i përgjithshëm për ecurinë e skuadrës. Me tre ndeshjet e para që janë zhvilluar deri tani mendoj se është shumë shpejt për të folur për një konkluzion. Shumë gjëra kanë qenë të paqarta edhe për vetë trajnerin e kombëtares, Oto Baric, i cili ka ardhur në një ambjent të panjohur dhe mund ta ketë pasur paksa të vështirë. Gjithsesi e thashë edhe më sipër, përfundimi i eliminatoreve do të nxjerrë një konkluzion përfundimtar" deklaron ish-tekniku kuqezi Hafizi. Më pas ky i fundit flet edhe për rinovimin e përfaqësueses që është kthyer në temën e ditës për mediat sportive në Shqipëri duke deklaruar se rinovimi nuk është një dicka që ndodh në një periudhë të caktuar, por se është një fenomen që ndodh në vazhdimësi. "Rinovimin e kombëtares varet se si e shikojnë të tjerët. Rinovim pa rinovim, unë mendoj se kombëtarja është gjithmonë në rinovim e sipër. Unë nuk e mendoj kështu këtë cështje që tani duhet të bëhet rinovimi i ekipit dhe të largohet një brez lojtarësh dhe të vijë një brez tjetër, por kjo ndodh në vazhdimësi. Këtu pastaj ndikojnë edhe disa faktorë të tjerë si edhe fakti se si e shikon trajneri skuadrën që ai drejton. Në kombëtare nuk ka asnjëherë moshë të njëjtë, në ekip mund të luajë si një futbollist 30-vjecar ashtu edhe një tjetër 20-vjecar. Ka disa breza lojtarësh që janë afruar në ekip dhe mendoj që kur t'i vijë koha edhe ata do ta gjejnë veten e tyre në ekip. Janë zhvilluar disa zbore stërvitore si me lojtarët e kombëtares ashtu edhe me talentet e reja dhe me lojtarët e ekipit U-21 dhe mendoj se kjo është një gjë e mirë. Trajneri i përfaqësueses punon gjithmonë për të mirën e ekipit dhe të njëjtën gjë mendoj se është duke bërë edhe tekniku i Shqipëri, Baric". I pyetur për talentin Jahmir Hyka, i cili cilësohet nga media dhe specialistët e ndryshëm si një futbollist shumë i mirë dhe që shumë shpejt do të bëhet shtylla e mesfushës së përfaqësueses, ish-tekniku kuqezi deklaron se kjo cështje është fryrë më shumë nga cduhet. "Hyka ka një moshë të re dhe mendoj se nuk duhet abuzuar me emrin e tij. Unë mendoj se ai do t'i përkasi një periudhe tjetër në ekipin kombëtar. Ka shumë lojtarë të talentuar dhe mendoj se nuk duhet t'i ngacmojmë shumë, por t'i lemë që ata të formohen vetë dhe gjithcka të ecë në rrjedhën e vet. Ka lojtarë të tjerë që duhen të shihen përpara Hykës pasi ky do t'i shërbente më shumë ekipit të Shpresave. Përsa i përket ndeshjeve të fund marsit mund të them se janë shumë të vështira dhe të rrezikshme për vazhdimësinë e ekipit kombëtar në këto eliminatore. E rëndësishme është që lojtarët përpara 24 marsit të jenë në formën e tyre sa më të mirë. Më vjen mirë për formën e mirë që po kalon Bogdani gjiothashtu edhe për Taren për të cilin mund të them se janë futbollistë që i shërbejnë ekipit kuqezi.

Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›