E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hafizi-Zhega: “Han vazhdo revolucionin Bariç”



Dy ish-trajnerët e ekipit tonë kombëtar, Astrit Hafizi dhe Mehdin Zhega, vlerësuan deklaratat e dhëna nga trajneri i përfaqësues, holandezi Ari Han në edicionin sportiv “Ora Sport” të televizionit informativ “Ora Neës”. Hafizi, rekordmeni shqiptar me kombëtaren përsa i përket numrit të ndeshjeve (25), pohoi se ekipi kuqezi duhet të rinovohet, duke vlerësuar edhe këndvështrimin e ish-trajnerit të Kamerunit, për mënyrën se ai e shikon Kombëtaren e tretë gjatë karrierës së tij. “Unë mendoj se Ari Han tashmë ka hyrë në brendësi të kombëtares Shqiptare”, - tha Hafizi, i cili drejtoi gjatë këtij sezoni për disa javë Tiranën. “Ai me siguri që, tashmë njeh disa lojtarë dhe ka ide te qarta”. Hafizi, i cili e morri Kombëtaren shqiptare pas dorëheqjes së Neptun Bajkos, njihet si një njeri me vizion. “Përsa i përket revolucionit, që edhe ai (Han) përmendi, mendoj se kjo duhet të ishte bërë më përpara se sot. Gjithsesi, ka ende kohë për trajnerin Ari Han për ta bërë një gjë të tillë”, - theksoi Hafizi, i cili arriti 4 fitore në 25 takime. Ish-trajneri i Vllaznisë është i një mendje me ish-trajnerin e Kinës për ra i përket kërkimit të lojtarëve të rinj në kampionatet e huaja, duke pranuar njëherësh edhe nivelin jo të kënaqshëm të kampionatit tonë. “Të jemi të sinqertë, kampionati ynë nuk është në nivelin e duhur dhe të gjithe ne trajnerët e dimë se baza e Kombëtares duhet të jenë elementët, që luajnë jashtë vendit”, - thotë Hafizi. “Sigurisht, që edhe këtu ka lojtare cilësorë, të cilët janë evindentuar, por mendoj se të luash jashtë ka të tjera kushte stërvitje. Është më e mirë pavarësisht nëse ata aktivizohen rregullisht me ekipet ku luajnë”. Edhe pasuesi i Hafizit në stolin kuqëzi, shkodrani tjetër Mehdin Zhega (13 ndeshje, 6 fitore) u shpreh se ka ardhur koha, që Kombëtarja të ketë një ekip të rinuar. “Ari Han duhet të vazhdojë rrugën e nisur nga Oto Bariç”. Kroati, i cili pasoi nga ana e tij gjermanin Hans Peter Brigel, largoi disa nga titullarët, përfshirë edhe dy kapitenët e përfaqësueses, Igli Taren e Besnik Hasin. “Unë mendoj se ne duhet të ndërtojmë një skuadër për të ardhmen, pavarësisht se tifozët tanë duan që ne të jemi ne vendin e tretë apo të katërt në grup”. Zhega, një gjermanishtfolës bisedoi për më shumë se 90 minuta në “Qemal Stafa” me ish-nënkampionin e botës, kur Han ndoqi derbin Partizani-Tiranën (2-1). “Han në derbi ndoqi nga afër jo vetëm Bakajn (Partizani) e Hykën (Tirana), por dhe Dhembin e Muzakën, Duron e disa lojtarë të tjerë”, - tha Zhega.

Cana, përsëriten sirenat nga Roma

Miliarderi hungarezo-amerikan Xhorxh Soros i dërgoi një ultimatum me afat 3-javor familjes Sensi për t’i shitur Romën në shumë 270 milionë euro, por lajmi i publikuar nga të përditshmet më të mëdha italiane, rastësisht u “kryqëzua” edhe me përsëritjen e njoftimit se skuadra e Françesko Totit kërkon me ngulm shërbimet e lojtarit më të paguar shqiptar Lorik Cana. Kapiteni i Olimpikut të Marsejës kushton mbi 15 milionë euro, osë së paku kaq do të dëshironte ta shiste mesfushorin shkatërrues presidenti i skuadrës franceze, Pape Diuf. “Ankandi Cana” është një nga më të lartit që ka parë një futbollist shqiptar, pasi për shërbimet e gjakovarit interesohet prej disa kohësh edhe kampioni i Spanjës, Reali i Madridit, njëherësh edhe klubi më i pasur në planet. Në lojë për Canën, tashmë i sigurt për një vend në Ligën e Kampioneve edhe për edicionin e ardhshëm, pasi Marseja për herë të parë gjatë këtij sezoni të filluar shumë keq, ndodhet në vendin e tretë. “Ishte një nga fitoret më të rëndësishme sezonale, pasi Olimpiku tani është atje ku duhet të jetë, për ta përfunduar sezonin në vendin e tretë”, - tha Cana pas fitores 3-2 në transfertë me Monakon. Trajneri belg i Olimpikut e ka vendosur prej kohësh Lorikun në pozicionin e një mbrojtësi qendror, duke i dhënë edhe një përmasë tjetër kualiteteve të zëvendëskapitenit të Kombëtares shqiptare. Shërbimet e tij i kërkon edhe Bajerni i Mynihut, i cili pas fitimit të titullit nga ana e Otmar Hitcfeldit, do të drejtohet sezonin e ardhshëm nga Jurgen Klinsmani. Në fakt “gogla” Cana do të jetë një short midis dy trajnerëve gjermanë, pasi edhe Bernd Shusteri po e çon Realin drejt titullit kampion në Spanjë.

Bogdani shpëton nga “armiku” Kamoleze

Erion Bogdani, edhe pse nuk luan për Livornon, të paktën mund të ndihet “fitues”. Jo në fushë. Por, në bankinë. Aty ku e “saldoi” trajneri Xhankarlo Kamoleze. Nga dita e sotme, sulmuesi kryesor i Kombëtares shqiptare ka një armik më pak. Pikërisht Kamolezen, i shndërruar në një ish-trajner, pasi presidenti i Livornos, Aldo Spineli e shkarkoi teknikun pas humbjes së rëndë 4-1 në shtëpi me Milanin, duke rikthyer në bankinë Fernando Orsin, njeriun që këmbënguli në blerjen e Bogdanit verën e kaluar, duke ia rrëmbyer shqiptarin Romës, atje ku mund të luajë sezonin e ardhshëm Lorik Cana. Livorno, 270 minuta përpara përfundimit të Serisë A është e fundit në klasifikim dhe mundësitë e shpëtimit janë thuajse zero. Skuadra e Bogdanit do të luajë kundër Atalantës në transfertë, Torinos në shtëpi dhe kundër Empolit jashtë.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›