E Diel, 1 Nëntor 2026

Haga dënon gazetarin Baton Haxhiu, gjobë 7 000 euro

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e shpalli fajtor gazetarin Baton Haxhiu për shpërfillje të saj, duke vendosur një dënim prej 7000 euro gjobë. Shuma është e detyrueshme të paguhet brenda një muaji. 

Kryesuesi i trupit gjykues, Alfons Orie, prezantoi aktakuzën e ngritur të Prokurorisë, deklaratën e dëshmitarit dhe kundër-argumentet e mbrojtjes së Haxhiut, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë. Haga e ka akuzuar gazetarin Haxhiu, se ka shkelur rregullat e Gjykatës së Hagës, duke bërë publik emrin e një dëshmitari të procesit Ramush Haradinaj, Balaj e Brahimaj, ndaj të cilëve gjykata kishte vënë masa mbrojtëse. Aktakuza kundër Haxhiut u dorëzua më 1 prill të këtij viti. Më 21 maj 2008, kur Baton Haxhiu u paraqit para trupit gjykues, u deklarua se nuk është fajtor. Dënimi maksimal për shpërfillje të kësaj gjykate është 7 vjet burg ose 100 000 euro. Prokuroria kishte propozuar një dënim prej 15.000 eurosh. Trupi gjykues e uli dënimin me 7000 euro. Haxhiu është gazetari i vetëm i dënuar në Hagë nga Kosova deri më tani. Procesi gjyqësor ndaj 2 të akuzuarve të tjerë, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraçia dhe gazetarit Bajrush Morina pritet të fillojë më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›